Ka ndodhur

RENEA zbarkon në Lezhë, ‘Fati i lojërave’ përfundon me dy të arrestuar (Video)

Dy persona janë arrestuar në Lezhë në kuadër të operacionit “Fati i lojërave” për goditjen e lojërave të fatit, aktivitet që ndalohet me ligj. Gjatë ndalimit të tyre, përveç policisë lokale dhe të Kurbinit, kanë marrë pjesë edhe forcat speciale RENEA.

Policia thotë se në aksin rrugor Milot-Thumanë, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit Gj.P., që menaxhohej nga shtetasi A.K., ka gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe 2.500.000 lekë të rinj.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E.L., klient në lokal, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, me krehër me 8 fishekë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në fund të operacionit, në pranga u vunë shtetasit: Gj. P., 29  vjeç, banues në Mamurras, pronari i lokalit dhe A. K., 41 vjeç, menaxheri i lokalit, banues në Thumanë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë