Nga Prof. Dr. Arben Malaj – Arsyet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve mund të jenë të shumta, por ndër më kryesore shkencëtarët përfshijnë: ngrohjen globale; rritjen e fatkeqësive natyrore pasi që prej viti 2000, nga FAO është raportuar “moti i paparashikueshëm dhe i pafavorshëm si shkak i “pritshmërive të ulëta mbi të korrat”, “prodhimeve të dëmtuara nga moti” dhe “rënies së prodhimit”. Gruri, elbi, misri, sorgumi dhe orizi përbëjnë të paktën 50 përqind të ushqimit global dhe deri në 80 përqind të ushqimit në vendet më të varfra; rritjen e çmimeve të naftës dhe çmimeve me ndikim në kostot e produkteve bujqësore; subvencionet qeveritare për bio-dieselin që ka zvogëluar ndjeshëm sipërfaqen e tokës që nuk prodhon produkte bujqësore dhe mungesën e fuqisë punëtore në vendet që kanë peshë në ofertën dhe çmimet e produkteve bujqësore.
Cilat janë disa nga gjetjet kryesore të raportit të Oxfam të cilat apelojnë për ndërgjegjësim për pasojat dhe sfidat për ushqyerjen dhe sigurinë ushqimore: Çmimi mesatar global i drithërave u rrit me 71% në një rekord të ri nga viti në prill të muajit të kaluar; Shkalla mesatare e rritjes së rendimenteve bujqësore është përgjysmuar që nga viti 1990 dhe do të bjerë edhe në dekadën e ardhshme; Çmimi mesatar i ushqimeve bazë do të dyfishohet në 20 vitet e ardhshme; çmimet ndërkombëtare të prodhimeve kryesore si misri mund të rriten deri në 180% deri në vitin 2030; Njerëzit më të varfër në botë, të cilët shpenzojnë deri në 80% të të ardhurave të tyre të ushqimit, do të goditen më shumë dhe bota po hyn në një epokë të krizës së përhershme të ushqimit, e cila ka të ngjarë të shoqërohet me trazira politike dhe do të kërkojë reformë rrënjësore të sistemit ndërkombëtar të ushqimit.
Ne nuk duhet t’i dorëzohemi fatalitetit, nuk duhet të ushqejmë frikë, pasiguri dhe paqartësi kërcënuese ndaj çdo individi ose konsumatori.
Shkencëtarët dhe politikanët duhet të nxitojnë për të mbështetur vizionin, strategjitë, projektet dhe programet që zvogëlojnë këtë rrezik potencial. Shkenca e ka shpëtuar botën nga shumë kriza.
Rasti më i afërt për suksesin e shkencës është ai kundër pandemisë covid-19. Opsionet ogurzeza për zhdukjen e njerëzimit, përgjysmimin e popullsisë, për zhdukjen e të moshuarve si një pjesë e kushtueshme e shoqërisë – mbeten një demogagji e neveritshme.
Ne e kemi një zgjidhje për krizën e urisë dhe varfërisë – ajo është revolucioni në bujqësi, është ekonomia e gjelbërt e mbështetur në agro-tech dhe high tech.
Kjo zgjidhje nuk është teorike apo utopike, pasi ekziton modeli i suksesshëm. Është Izraeli i cili nuk eksporton vetëm produkte bujqësore, por kryesisht njohuritë dhe teknologjitë moderne në agro-tech dhe high tech, që do të ndihmojnë në shpëtimin e njerëzimit nga krizat e urisë dhe varfërisë.
Në mënyrë që të ndihmojmë debatin e shëndetshëm publik po ndaj disa ide profesionale edhe si një ftesë për më shumë debat publik të cilat janë:
- Raportet lidhur me rritjen e të gjitha çmimeve por sidomos të produkteve bujqësore kanë tregues alarmues për çdo qeveri dhe shoqëri të përgjegjshme;
- Inflacioni është një goditje e rëndë për shtresat e varfëra dhe klasën e mesme;
- Bankat Qëndrore kanë pak ose shumë pak hapësira reale për politikë monetare dhe instrumente të saj për të politika kundër ciklike, pa cënuar rritjen ekonomike;
- Inflacioni jo vetëm teorikisht është një taksë indirekte për të varfërit dhe klasën e mesme;
- Në mënyrë urgjente duhet të sqarohen politikat dhe instrumentet konkrete të qeverisë dhe parlamentit për një sistem të mbrojtjes sociale sa më konkret, efektiv, të drejtë dhe fuksional që nuk hedh asnjë shqiptar në gropën e varfërisë dhe pamundësisë për të jetuar;
- Barra e rritjes së çmimeve nuk mund të transferohet vetëm tek konsumatorët pasi varfërimi i tyre i mëtejshëm do të sjellë tensione sociale dhe paqëndrueshmëri politike të cilat e thellojnë dhe nuk zgjidhin krizën;
- “Lufta mediatike patriotike” kundër bizneseve të prekura nga zinxhiri i rritjes së çmimeve – është varfëruese, si në aspektin moral dhe atë financiar si për bizneset dhe konsumatorët;
- Qeveria duhet të ristrukturojë të gjitha prioritetet buxhetore për 2022 dhe 2022-2025,duke mos nisur ndonjë projekt të ri preferencial dhe oligarkik të Partneritetit Publik-Privat (4PO);
- FMN dhe Banka Botërore i kanë kërkuar publikisht qeverisë Rama: (a) të zvogëlojë projektet e mëdha dhe të shtrenjta dhe (b) të ndërtojë dhe konsolidojë sistemin e mbrojtjes sociale pasi ai kundër tërmeteve dhe pandemive rezultoi i dobët dhe joefektiv;
- Qeveria duhet të spostojë në kohë projektet e mëdha dhe të kushtueshme infrastrukturore, pa konkurrencë, pa transparencë, pa burime financiare mikse nga Bankat e Zhvillimit dhe sektori privat.
- Përmirësimi i infrastrukturës së rënduar shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të bëhet vetëm me borxhet e rritura në mënyrë të pakontrolluar. Kjo është edhe për shkak të “kapjes” së shtetit nën influenca të dukshme korruptive dhe oligarkike;
- Qeveria duhet të rrisë personelin dhe kërkimin shkencor në fushën e Ekonomisë së Gjelbër dhe Ekonomisë së Dijes;
- KOHA NUK PRET – ekonomia shqiptare e bazuar në krahun e lirë të punës dhe eksportin e mineraleve të papërpunuara, nuk garanton një zhvillim me rritje të lartë, të qëndrueshme dhe të drejtë, dhe aq më pak rezistent ndaj goditjeve të jashtme, por lehtëson importimin e krizave nga kudo që ato ndodhin;
- Rritja e çmimeve bujqësore mund të jetë një kosto për konsumatorët, por edhe një mundësi për të rritur bujqësinë moderne e cila rrit rendimentet disa herë më shumë edhe në sipërfaqe më të vogla;
- Ulja apo përjashtimet tatimore krijojnë humbje të rënda buxhetore. Nga këto ulje përfitojmë padrejtësisht dhe ne që kemi të ardhura relativisht më të larta;
- Politikat mbrojtëse të shtresave më të prekura nga inflacioni dhe papunësia duhet të fokusohen në politikat e rishpërndarjes në krahun e shpenzimeve;
- Të ardhurat shtesë nga TVSH-ja për shkak të rritjes së çmimeve, duhet të përdoren, jo për të mbyllur vrimat e zeza në buxhetin e shtetit, por si burime shtesë për mbrojtjen sociale. Kjo krijon kohezion dhe solidaritet, redukton tensionet sociale dhe në të njëjtën kohë i qarkullon më shpejt paratë e ndihmës sociale në ekonomi. Shpejtësia e qarkullimit të parasë është një indikator i rëndësishëm në gjallërimin ose ngadalësimin e ekonomisë.
- Çdo debat “patriotik dhe sherrë-prodhues jo vetëm ndërpartiak” për këtë krizë që po afrohet me shpejtësi, është një kosto e rëndë për konsumatorët shqiptarë, për të varfërit dhe klasën e mesme që do të goditen më së shumti.
- Ne nuk kemi nevojë për “patriotizëm analfabet”, as debate thellësisht ideologjike, kemi nevojë për përgjegjësi të përbashkët për politika dhe zgjidhje më të mira që reduktojnë forcën goditëse varfëruese të inflacionit në rritje të lartë dhe të shpejtë, ndaj shtresave më të varfra dhe klasës së mesme. Mbi të gjitha ne kemi nevojë për vizionin e një ekonomie vibrante të bazuar në Ekonominë e Gjelbër, Ekonominë e Dijes dhe dixhitalizimin real në çdo cep të vendit si një mundësi e re për të rritur barazinë e mundësive për çdo shqiptar.
- Agresioni politik për çfarëdo lloj arsyeje është një rritje e inflacionit politik i cili ushqen rritjen e varfërisë tek shqiptarët për shpresat e tyre, të ardhmen dhe në jetën e tyre të përditshme.
- Kredibiliteti i qeverisë – kushtëzon apo përcakton kostot e zgjidhjes së krizës së të ushyerit apo thellimin e saj për pushtet personal absolut.
Krizat e çmimeve varfëruese duhet të jenë fundi i qeverive të cilave qartësisht ju mungon morali dhe kredibiliteti publik, ju mungon vizioni dhe përgjegjshmëria sepse janë prekur thellë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit.
Qeveritë mund të përpiqen të përdorin çdo masë agresive për ti “mbytur” protestat, por fundi i tyre është i qartë.
Smith konkludon duke paralajmëruar se “Çmimet më të larta do ta zbehin ndjeshëm sigurinë ushqimore, dhe nëse ekziston një ligj i qëndrueshëm i shkencave sociale, është ai se njerëzit e uritur ndërmarrin shpesh hapa radikalë për të siguruar jetesën e tyre, dhe sidomos aty ku perceptohet se udhëheqësit kanë dështuar’.
*Burimi:Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisje
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




