Ka ndodhur

Vritet në një kafene në mes të Athinës një 39-vjeçar shqiptar

Një 39-vjeçar shqiptar ka humbur jetën mbrëmjen e së dielës, pasi u qëllua me armë zjarri në qendër të Athinës. Ngjarja ndodhi në një kafene të vendosur pranë rrugës për këmbësorë në Agios Pavlos.

Mediat greke raportojnë se shqiptari është qëlluar nga një person i maskuar dhe me kapele, i cili i është afruar në momentin që ai ishte ulur në kafene.

Viktima, i cili mësohet se quhet Keli, nga Tepelena, dyshohet se ishte pronar i një kafeterie dhe atentati ndodhi jashtë biznesit të tij.

Zona në atë kohë ishte e mbipopulluar dhe kishte shumë njerëz. Sipas dëshmive, autori e qëlloi viktimën të paktën gjashtë herë.

39-vjeçari shqiptar mori plumba në kokë dhe bark, dhe u transportua në gjendje të rëndë në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Paraprakisht dyshohet se viktima mund të jetë ekzekutuar në një përplasje mes bandave për shkak të aktiviteteve të paligjshme në zonë.

Ndërkohë mediat greke kanë raportuar më herët se shqiptari ka pasur probleme me drejtësinë pasi kishte precedent të mëparshëm penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë