Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ka reaguar përmes avokatit të tij pak orë pasi Apeli i Posaçëm riktheu për gjykim ndaj tij çështjen ”Gërdeci”.
Ardian Visha, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Mediut, shprehet se vendimi i marrë “është një akt jo Kushtetues dhe pluri-shkelës ndaj Konventës Europiane Për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit”.
Sipas Vishës, vendimi përbën një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji.
“Është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë, - thuhet në deklaratën e lëshuar nga Visha. - Veç të tjerave, shkelja e ligjit është e dukshme, sepse e njëjta çështje (kërkesë) është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, Tiranë në vitin 2019”.
Më tej, avokati i Mediut shton se ky vendim i Apelit të Posaçëm “cenon hapur parimin e sigurisë juridike, parimin e gjësë së gjykuar, parimin e ligjit favorizues dhe për më tepër synon procedimin për një akuzë afati parashkrues i së cilës ka kaluar me kohë".
Avokati paralajmëron se pasi ai dhe klienti i tij të njihen me “arsyetimin” e këtij akti të paligjshëm, do të reagojnë me transparencë dhe me të gjitha mjetet ligjore të përshtatshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.