Art dhe Kulture

Mozaiku i Tiranës, Margariti: Gërmimet e reja shtyjnë deri në fund të shekullit I datimin e banimit

Gërmimet arkeologjike kanë rinisur prej disa javësh në Mozaikun e Tiranës, një monument që mbart vlera historike për kryeqytetin shqiptar dhe jo vetëm.

Gërmimet në këtë zonë po kryhen nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Tiranë dhe Universiteti i Tiranës.

Gërmimet u inspektuan të hënën edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti cila tha se të gjithë e njohim si Mozaiku i Tiranës, por ai është shumë më shumë se aq.

“Gërmimet e reja jo vetëm po konturojnë më qartë vilën romake dhe të gjitha hapësirat e saj, por shtyn deri në fund të shekullit I datimin e banimit të asaj hapësire”, shprehet ministrja e Kulturës në një postim të saj në Facebook, ku ka publikuar dhe foto gjatë inspektimit në Mozaik.

Margariti thotë se ishte në territorin ku po gërmojnë specialistët edhe studentët e Fakultetit Histori-Filologji, UT, të cilët kanë fatin jo vetëm të specializohen dhe të pajisen me certifikata, por edhe të marrin pjesë një proces me rëndësi për historinë e qytetit.

“Presim që me përfundimin e gërmimeve dhe dokumentimin e procesit dhe të objekteve, të dalin rezultate mbresëlënëse”, shprehet ndër të tjera ministrja Elva Margariti.

Mozaiku i Tiranës është monument arkeologjik brenda territorit të kryeqytetit shqiptar. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972.

Ndërhyrjet më të fundit më Mozaikun e Tiranës janë kryer në vitet 2006-2008, nga profesor Skënder Muçaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë