Ka ndodhur

Gjendet pas 5 ditësh trupi i pajetë i minatorit në Bulqizë, arrestohet tekniku i minierës

Është gjetur pas pesë ditësh kërkimesh trupi i pajetë i minatorit Muharrem Plaku në Bulqizë. Në orët e para të mëngjesit të së hënës, grupet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë nga galeria trupin e pajetë të 61-vjeçarit, i cili është dërguar në morgun e spitalit të Bulqizës.

Pas vdekjes së minatorit, policia ka arrestuar drejtuesin teknik minerar dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë teknikun e subjektit minerar.

Policia thotë se u bë ndalimi i shtetasit V.L., 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Drejtues teknik)  si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. H.,  54 vjeç, banues në Bulqizë,  (me detyrë Teknik miniere), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Muharrem Plaku mbeti i bllokuar në një prej galerive të kromit pas shembjes së një masivi minerali dhe prej 5 ditësh është punuar pa ndërprerje për të nxjerrë trupin e tij nga nëntoka.

Është dashur kohë dhe shumë punë për largimin e mbi 300 m kub material për të shkuar deri në thellësinë 500 metra ku është gjetur trupi i pa jetë i 61 vjeçarit. Minatori ishte zënë poshtë nga një sasi e madhe minerali, e shembur në hapësirën e galerisë.

Ngjarja ndodhi  rreth orës 12.00 të së mërkurës (15 shtator), kur pas shembjes së mineraleve, Murahrrem Plaku mbeti i bllokuar brenda minierës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë