Ka ndodhur

Zjarri në Panaja/ Punonjësit e pastrimit dogjën mbeturinat, por flakët dolën nga kontrolli

Dy persona janë arrestuar si autorë të dyshuar për zjarrvënien në zonat me ullishte, bimësi dhe shkurre në fshatin Panaja të Vlorës.

Policia thotë se ka vënë në pranga Sardi Dalipajn, 26 vjeç, banues në fshatin Bishan dhe Fatmir Rrapajn, 64 vjeç, banues në fshatin Mifol (punonjës të një firme pastrimi), si dhe proceduan në gjendje të lirë për shkak të moshës, shtetasin e mitur me iniciale E. D., 14 vjeç.

Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë ndezur zjarr për djegien e mbeturinave, anës rrugës së vjetër Vlorë -Novoselë dhe si pasojë zjarri, i favorizuar dhe nga era, ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme toke me ullinj dhe bimësi të ndryshme në fshatrat Panaja dhe Bestrovë.

U desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilët pas disa orësh kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Në zonë, për shkak të zjarrit, kanë shpërthyer edhe municione luftarake, që gjendeshin prej kohësh që prej hapjes së depove të ushtrisë në vitin 1997.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë