Rregullat e reja që kanë hyrë në fuqi këtë të hënë në territorin shqiptar për masat e reja anti-Covid në kufi, nuk kanë shkaktuar problematika të mëdha.
Në të gjitha pikat kufitare të vendit, të gjithë shtetasit shqiptarë apo të huaj duhet të paraqesin pasaportën e vaksinimit, që dëshmon imunizimin me të dyja dozat ose një përgjigje negative e testit PCR ose testit të shpejt.
E vlefshme është edhe dëshmia e kalimit të infeksionit të Covid-19 në 6 muajt e fundit.
Në pikën kufitare të Muriqanit pas mesnatës kanë kaluar qindra shtetas shqiptarë dhe të huaj. Dhjetëra prej tyre, kanë deklaruar se nuk janë vaksinuar dhe nuk dispononin asnjë nga këto dëshmi.
Sipas rregullores, ata janë detyruar të vetëizolohen për 10 ditë. Ndërkohë që disa të tjerë, duket se kanë qenë të papërgatitur për rregullat e vendosura nga shteti shqiptar.
Masat janë të vlefshme edhe për fëmijët mbi 6 vjeç. Në Qafë Thanë dhe Kapshticë, ka pasur dhjetëra familje që janë kthyer pas për këtë gjë.
Një shtetas nga Tetova me profesion mjek, thotë për mediat se është jo normale t’i bëhet test i shpejtë fëmijëve. Sipas tij, në Maqedoni dhe çdo vend të rajonit nuk ka masa të tilla.
Në Morinë, masat e reja anti-COVID në kufi kanë shkaktuar radhë kilometrike automjetesh nga Kosova drejt Shqipërisë, ku shumë qytetarë, në mungesë të dokumenteve janë grumbulluar te pika e testimit të shpejtë në afërsi të doganës. Shumë prej tyre kanë qenë pa maska, duke rritur rrezikun e përhapjes së infektimeve.
Këtë mëngjes, edhe në portin e Durrësit kanë mbërritur rreth 350 pasagjerë vendas dhe të huaj me dy tragete që janë nisur nga Bari. Kanë qenë shumë të paktë ata që nuk dispononin asnjë nga kushtet e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Situata në pikën kufitare të Kapshticës ka kaluar pa probleme, pasi qytetarët që nuk kanë qenë të pajisur me dëshmitë shendetësore, janë vetëkarantinuar dhe janë të detyruar të mbajnë kontakt me autoritetet e shëndetit publik.
E njëjta situatë është paraqitur edhe në Kakavijë. Përveç atyre shtetasve që kanë deklaruar se do të vetëkarantinohen, ka pasur edhe qytetarë që kanë zgjedhur të kryejnë testin e shpejtë në pikën që është ngritur posaçërisht në kufirin mes dy vendeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.