Njerez

Rrëfimi i një afgani/ Dje ai ishte pedagog, sot njeri pa identitet dhe “tradhtar”

“Deri dje me njihnit si profesor, sot po flisni me një person të mjerë”. Fahim Sadat është tridhjetë e pesë vjeç, dhe deri një javë më parë ai jetonte në Kabul, me gruan dhe djalin e tij.

Ai ishte kreu i departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare në një universitet privat në kryeqytetin afgan, Universitetin Kardan. Një ndërtese e fortifikuar. Sepse për të hyrë atje duhet të kalonit një portë të ruajtur nga roje të armatosura, një derë të blinduar, dy detektorë metali. Dera e zyrës së tij ishte gjithashtu e blinduar.

Më 10 gusht, kur u takuam për herë të parë, Fahim Sadat po caktonte provimet e fundit të verës për studentët e tij për shkenca politike dhe po korrigjonte tezat e atyre që duhej të ishin diplomuar në vjeshtë.

“Përmblidhni paragrafet, shtoni shënimet saktësisht,” u tha ai studentëve të tij, “por shpejt, brenda javës së ardhshme.”

“Është e rëndësishme që ju të diskutoni tezën tuaj sepse ne nuk e dimë se si do të përfundojë”.

Talebanët kishin marrë thuajse gjithë vendin në duart e tyre dhe një grup njerëzish të armatosur kishin qëlluar në shtëpinë e tij tre ditë para takimit tonë.

Shumë ekspozim, shumë intervista me mediat ndërkombëtare, kritika të qarta ndaj marrëveshjes së Dohas mes talibanëve dhe administratës amerikane, të Trump-it në fillim dhe më pas të Bidenit.

Situata po përkeqësohej dhe Sadati e dinte këtë gjë. Për këtë arsye, ai i paralajmëroi studentët nëpër korridore që të nxitonin sepse nëse ka një mjet për të emancipuar afganët e rinj është njohuria, arsimimi.

Televizori para tryezës së tij ishte në kanalin “Tolo News”, transmetuesi kryesor i vendit.

Titulli që shihte në ekran: “Që nga fillimi i ofensivës 300,000 njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre”.

Kishte njerëz të zhvendosur kudo në qytet. Pesëmbëdhjetë të afërm kishin mbërritur gjithashtu në shtëpinë e tij dy ditë më parë, duke ikur nga Kunduzi, për të kërkuar strehim. “Gjithçka po rrënohet shpejt. Gjithçka tashmë është shembur shpejt” murmuriti ai, duke u përpjekur të ishte edhe racional në atë që thoshte.

“Në një kuptim të caktuar – vijon Sadat – situata tani nuk është e ndryshme nga ajo e së kaluarës. Në vitet 1990, lufta ishte mes talebanëve dhe qeverisë muxhahidine. Tani ne jetojmë në një situatë të ngjashme, talebanët po luftojnë përsëri kundër qeverisë, por me një shtysë strategjike të dhënë nga njëzet vjet luftë guerile. Talibanët kanë mësuar një mësim në taktikat ushtarake që qeveria dhe aleatët perëndimorë duket se nuk e kanë mësuar”

Tërheqja e amerikanëve kishte krijuar vakum tek siguria dhe organizimi ushtarak, dhe talebanët po fitonin terren pikërisht tek ai vakum.

Qeveria afgane e Ghanit, e komprometuar nga korrupsioni dhe mungesa e besueshmërisë, nuk ishte në gjendje të motivonte forcat e armatosura, të cilat – pasi kishin humbur mbështetjen logjistike amerikane – në shumë raste kanë braktisur, duke u garantuar talebanëve një pushtim të fshatrave dhe qyteteve pa pasur nevojë për të qëlluar … qoftë edhe një të shtënë.

Toni i tij u bë më i ashpër kur foli për marrëveshjen e Dohas dhe procedurat për tërheqjen e trupave. “Asnjë afgan nuk do të donte që amerikanët të qëndronin këtu përgjithmonë, ne e dinim që do të na duhej të merrnim kontrollin e vendit, t’ia dilnim vetë. Por natyra dhe koha e tërheqjes ishin problematike. Ishte një tërheqje pa kushte. Vendimi më i keq, vendimi më i nxituar”

Kur amerikanët filluan negociatat me talebanët, Sadat qëndroi skeptik, por i heshtur. Shumë afganë u lehtësuan nga ato bisedime. Prania e talebanëve ishte një fakt dhe ishte fakt që një ndarje e pushtetit duhet të trajtohet “por margjinalizimi i qeverisë Ghani në ato negociata ishte absurd. Qeveria ishte e korruptuar, legjitimiteti i saj ishte komprometuar shumë kohë më parë. Ai kishte mbështetje ndërkombëtare, por e humbi atë, ai nuk dinte si ta përdorte kreditin që kishte për të përmirësuar jetën e vendit. Dhe qasja e njëanshme e amerikanëve e ka përkulur edhe më shumë një qeveri tashmë të brishtë dhe i ka dhënë një besim të çuditshëm talebanëve, perceptimin e një fitoreje që tashmë ka ndodhur. Ajo që në fakt po ndodh”.

Në televizor vijonin kronikat e lajmeve për zonat që kishin rënë në duart e talebanëve, njëri pas tjetrit.

Ne ishim dëshmitarë të fitores së tyre, ndërsa Sadat përpiloi listën e provimeve vjeshtën e ardhshme me shqetësimin e atyre që e dinë se po mashtrojnë në tryezë dhe kanë frikë të mos zbulohen. “Çfarë do të bëhet me këta njëzet vjeçar kur talibanët të kenë vendin në duart e tyre?” na pyeti dhe, jo anasjelltas.

Pesha e pyetjes retorike pushtoi zyrën.

Pesë ditë më vonë vendi ishte në duart e talebanëve, Fahim Sadat u mbyll në shtëpi, u bllokua nga frika e hakmarrjes, dhjetë ditë më vonë ai ishte në aeroport duke u përpjekur të shpëtonte.

Emri i tij ishte në listën e një organizate joqeveritare gjermane. Dokumentet janë gati, siç është viza nga Berlini. Por ishte e pamundur për ditë të tëra të kalonin pikat e kontrollit të talebanëve.

Fahimi qëndroi i ulur dhe i fshehur për dy ditë e netë rresht me pesëdhjetë njerëz të tjerë në një autobus.

Një nga pesë automjetet që duhej të arrinte tek forcat amerikane për të hyrë në seksionin ushtarak të aeroportit Hamid Karzai për të lënë vendin.

Dy ditë negociata, kërcënime, deri në sulmin e shënuar më 26 gusht. “Nuk mund të kalojmë më,” i thanë ata pas masakrës, “shko në shtëpi dhe hiq dorë”.

Dhe kështu kishte bërë, duke u mbyllur më shumë se më parë. Emri i tij tani ishte në listat e qytetarëve që prisnin evakuimin. Talibanët kishin regjistruar të gjithë ata që përpiqeshin të arrinin në aeroport dhe ai ishte bërë dyfish tradhtar, së pari sepse i kritikoi ata, dhe së dyti  sepse u përpoq të ikte.

Pastaj më 28 gusht ndodhi e papritura: Fahim Sadat mori konfirmimin: “Ata e kanë lënë karvanin të kalojë. Mos sillni bagazhe. Mos sillni mjete elektronike. Mos sillni para, përveçse  një shume të vogël. Sillni ushqim dhe ujë me vete për dy ditë sepse nuk e dimë se kur do të na lejohet të largohemi”.

Kështu ai mori dyqind dollarë nga sirtari, telefonin, pasaportat dhe vizat gjermane, përshëndeti familjen, arriti në pikën e takimit, hipi në autobus, kaloi pikën e parë të kontrollit të talebanëve, pastaj të dytën, pastaj ushtarët.

Ai hipi në një aeroplan ushtarak, mbërriti në Riad, priti për dy ditë në një tendë për një destinacion evropian, dhe më pas fluturoi për në Spanjë. Tani ai është atje, në një bazë ushtarake amerikane, duke pritur një fluturim që do ta çojë në Hamburg, Gjermani.

Dje ai u la për herë të parë në katër ditë. Ai mbajti radhë në sportelin e një OJQ -je spanjolle, ndërroi rrobat dhe më pas me telefonoi. Në sfond nuk kishte më zërat e studentëve të tij, por klithmat e fëmijëve që udhëtuan me të: “Ju takuat një profesor pak ditë më parë – tha ai – tani jam një i mjerë”.

Sot Fahim Sadat, kreu i departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Kardan në Kabul, është refugjat: “Tani përparësia është të gjej një palë pantallona dhe një palë këpucë që i përshtaten trupit tim, sepse nuk më mbetet asgjë tjetër. Njëzet ditë më parë, kur u takuam, përparësia ishte të caktoja provimet e studentëve të mi. Unë isha mësues, tani kush jam unë?”.

Edhe kjo pyetje ra në heshtjen e turpëruar të telefonatës sonë. “Si t’ia filloj nga e para, nga ku?”

Pyetjet e tij nuk lidheshin me lodhjen e arratisë, por me identitetin e tij.

“Si do të trajtohem nga të tjerët tani që jam refugjat?” Çfarë do të bëhet me reputacionin tim?” Reputacioni. Është hera e parë që një burrë në arrati, i ndjekur nga kërcënimet se do të vritet, më kujton se jeta e tij e mëparshme nuk ishte vetëm të hante, të pinte, të siguronte nevojat e familjes së tij dhe të ishte i shëndetshëm.

Ajo jetë ishte edhe reputacioni i tij, profesioni i tij si mësues.

Kur talebanët hynë në Kabul, ai pushoi së ekzistuari. Tani është Fahimi, dhe e panjohura para tij

Këto ditë Fahimi u jep një ndihmë vullnetarëve spanjollë ndërsa pret të mbërrijë në Gjermani.

Përkthen nevojat e nënave, të rinjve, të cilët nuk flasin anglisht.

Ai menaxhon turnet e banjove të përbashkëta, dhe shikon në pasqyrë here pas here veten duke u përpjekur të kujtojë se kush ishte, për të hequr turpin që ndjeu në autobus, ndërsa kalonte nëpër pikat e kontrollit, para se të fluturonte larg.

“Ata na shikuan si frikacakë sepse po largoheshim. Njëri prej tyre më tha: ky vend nuk të përket më ty, nuk meriton respekt. Ne, të cilët deri një ditë më parë ishim njerëzit më të respektuar në vend”.

Në gjeografinë e re të pushtetit, në Afganistanin taleban, profesori Fahim Sadat ishte një tradhtar. “Ishte gjëja më e vështirë për të ikur. Duke u përpjekur njëzet vjet për një vend të ri dhe duke u trajtuar në fund si një qytetar i keq. Gjëja më e vështirë, fyerja e shikimit të talebanëve mbi jetën tonë të vjedhur”

Marrë nga “La Stampa”. Përshtati në shqip: Gazeta “Si”  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë