Analize

I zgjedhur për pajtimin e Kosovës dhe Serbisë, kush është i dërguari i ri i SHBA për Ballkanin Perëndimor?

Zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi dhe një nga njerëzit kyç të SHBA-së pas rënies së ish-Jugosllavisë, Gabriel Escobar do të emërohet Zëvendësndihmës Sekretar për Europës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit.

Posti i tij aktual nuk është qëndrimi i tij i parë në Beograd, pasi në vitin 2001 ai ishte ndër diplomatët e para të caktuar në Serbi, sapo SHBA-të rihapën ambasadën. Escobar do ta marrë detyrën më 7 shtator, duke zëvëndësuar kështu Matthew Palmer, i cili ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i DASH-it për Ballkanin Perëndimor.

Sipas disa mediave, emërimi i tij është një tregues i një politike të rëndësishme: Adminstrata Biden po ndërmerr një rol më energjik dhe më aktiv në Ballkan. Pa dyshim  një ndër temat e rëndësishme në tryezën e Escobar do të jetë dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës dhe puna nga afër në rajon duket se do të jetë një avantazh i madh.

Ekcobar konsiderohet një njohës i shkëlqyer i politikave në Ballkan dhe komentohet nga zyrtarët amerikan si një diplomat i paanshëm. Ai e njeh nga afër situatën në Ballkan dhe ishte shumë aktiv në rajon në periudhën e trazuar të viteve 1998-2001.

Kur Milorad Dodik mori postin e Kryeministrit të Republikës Srpska në vitin 1998 me ndihmën dhe mbështetjen e madhe të bashkësisë ndërkombëtare, zyra e OHR në Banja Luka drejtohej pikërisht nga Gabriel Escobar.

“Ai është një njeri që përfundon detyrat e besuara dhe gjen gjithmonë zgjidhje, ndonjëherë edhe duke i imponuar ato në mënyrë diplomatike,” thotë një zyrtar amerikan në ambasadën e SHBA-ve në Podgoricë.

Mediat në Beograd theksojnë se zgjedhja e Escobar si njeriu kryesor i Biden për Ballkanin Perëndimor është një sinjal se politika e Shtëpisë së Bardhë do të jetë e ndryshme nga ajo që ishte gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump.

“Si do të ndikojë ky ndryshim në Serbi do të shihet shpejt. Ekspertët thonë se muaji i mjaltit i administratës amerikane dhe Aleksandër Vuçiç, i cili filloi gjatë kohës së Trump, ka përfunduar,” shkruan gazeta serbe “Politika”.

Burimet thonë për këtë gazetë se Escobar është zgjedhur në këtë post me qëllimin  e vetëm për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Gazeta serbe thekson se dialog midis Beogradit dhe Prishtinës është “në kryen e listës” së detyrave të Escobar, pasi presidenti Biden po kërkon me ngulm një zgjidhje.

Por kush është Gabriel Escobar?

Gabriel Escobar në gusht të vitit 2019 u emërua në postin e zëvendësshefit të misionit në Ambasadën amerikane në Beograd. Më herët, ai kishte shërbyer si i ngarkuar me punë në këtë ambasadë.

Nga viti 1998 deri më 2001, Gabriel përfundoi katër mandate radhazi në ish-Jugosllavi, ku ka shërbyer edhe si shef i stafit në Zyrën e përfaqësuesit të lartë në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës, shef i degës së ambasadës në Banja Llukë, zëvendësdrejtor i ekipit të Zyrës ndërlidhëse diplomatike të SHBA-së në Podgoricë dhe më 2001, pak pasi u rihap ambasada në Beograd ka shërbyer si shef i njësisë politike në Ambasadën amerikane.

Më pas ai u zhvendos në Byronë për Çështje Evropiane, Gabriel ka shërbyer si këshilltar për çështje politike dhe ekonomike në ambasadën në Lisbonë, zëvendëskëshilltar politik në Romë dhe zyrtar ushtarak politik në Pragë si dhe zëvendëskonsull në Moskë.

Gabriel, një diplomat karriere, është nderuar gjashtë herë nga Departamenti amerikan i Shtetit me Çmimin e Lartë të Nderit dhe një herë me Çmimin për Merita të Larta. Ai po ashtu është nderuar nga DASH-i për Çmimin për Shërbimin Civil si dhe ka marrë Çmimin për Shërbim Ushtarak.

Po ashtu ai ka mbajtur pozita të larta në Ambasadën amerikane në Bagdad, në La Paz, Peshavar si dhe ka qenë udhëheqës i ekipit amerikan për rindërtim në Kirkuk të Irakut.

Gabriel është diplomuar në Universitetin Colombias në Nju Jork dhe flet gjuhën spanjolle, ruse, italiane, serbe, çeke dhe portugeze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë