Hollivudi ka zbritur në qytetin e Venecias, në edicionin e 78-të të tij. Yjet e kinemasë botërore kanë mbërritur në Venecia, ndryshe nga viti i kaluar që e braktisën atë, për shkak të pandemisë së Covid-19.
Organizatorët shpresojnë që përmes një protokolli strikt kundër koronavirusit do të mbajnë larg telashet nga maratona 11-ditore kinematografike. Sallat ku do të ekranizohen filmat po operojnë me kapacitet të përgjysmuar, dhe një mur bllokon pamjen në tapetin e kuq, për të shmangur grumbullimin e turmave jashtë Palazzo del Cinema për një autograf. Maskat, dëshmia e vaksinimit apo testi negativ janë të nevojshme në ambientet e brendshme.
Ndërsa maska te ambientet e jashtme jo gjithmonë është e detyrueshme, vetëm nëse nuk është e mundur të respektohet distanca personale minimale prej një metri.
Festivalin më të vjetër në botë për këtë vit do ta çelte filmi “Parallel mothers” i regjisorit spanjoll Pedro Almadovar.
Protagoniste është Penelope Cruz, në rolin e një prej dy nënave single që lindin në të njëjtin spital. Mes titujve të tjerë në garë për luanin e artë është The Power of the Dog të Jane Campion’s, ku Benedict Cumberbatch është në rolin e një pronari ferme që përndjek një vejushë të interpretuar nga Kirsten Dunst.
Kristen Stewart shndërrohet në princeshën popullore Diana, në filmin më të ri “Spencer”. Pjesë e jurisë së këtij viti janë Chloe Zhao, regjisore e filmit fitues të vitit të kaluar, Nomadland, që më vonë fitoi edhe Oskar, dhe koreano-jugori Bong Joon-ho, filmi i të cilit, “Parasite” është vlerësuar gjithashtu me çmim Oskar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




