Një kompozitor i njohur ballkanas thotë: Nëse nuk ia vëmë veshin muzikës së tjetrit, atëherë askush nuk do t’ia vërë veshin muzikës sonë.
Këtë shprehje të mencur do ta përshtasnin për filmin tre organizatorët e “Balkan Film Food Festival”.
“Le të shohim filmat e njëri-tjetrit, vetëm kështu, duke u njohur me njëri-tjetrin do të na shtohet stima reciproke. Dhe vetëm kështu do ta meritojmë plotësisht atë emrin e vjetër ballkanas, të cilin dikur e mbanin me dinjitet stërgjyshërit tanë ma mustaqe të stërmëdha”, do të shkruanin Eno Milkani, Gerta Qurku dhe Fatos Baxhaku që në zanafillë të këtij festivali.
Pas edicioneve të mëhershme, Festivali rikthehet edhe këtë vit në Pogradec në të 11-in edicion me rreth 35 filma nga Greqia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia.
Filmi “Liqeni im” me skenar dhe regji nga Gjergj Xhuvani do të çelë edicionin e 11-të të “Balkan Film Food Festival”.
Përgjatë 5 ditëve (1-5 shtator), festivali ballkanik i filmit do të sjellë produksione të ndryshme filmash shqiptarë dhe të huaj, që do të jenë në konkurrim.
Drejtori artistik i festivalit, Eno Milkani do të shprehej se këtë vit festivali sjell në konkurrim rreth 35 filma nga vendet e Ballkanit.
Në program janë 4 filma artistikë me metrazh të gjatë: filmi “Shpia e Agës” nga Lendita Zeqiraj, që është bashkëproduksion mes Kosovës dhe Shqipërisë, filmi rumun “Mia misses her revenge” prodhim i vitit 2020, si dhe një film prodhim maqedonas “The happiness effect”.
Një ndër krijuesit e festivalit është edhe Fatos Baxhaku, dhe drejtori artistik Eno Milkani do të shprehej se Pogradeci është përzgjedhur prej tij për këtë festival. Të ftuarit nuk kanë munguar çdo vit në festival. Aktorja Tinka Kurti, regjisori Piro Milkani, Mevlan Shanaj etj, do të jenë në ditët e festivalit.
Juria me anëtarë të huaj do të vlerësojë filmat që janë në konkurrim në këtë edicion. Në juri këtë vit janë Vincenzo Filippo, producent “Lupin Film Itali”, Eloise Verekeen aktore nga Franca dhe Marco Cicolini “Artinvita Festival Selector”, Itali.
Sa i takon pjesës së kulinarisë në festival, të ftuarit që janë turq, rumun, maqedonas, grekë do të kenë një turn në Lin, Volorekë, etj, për të provuar gatimet vendase.
Pjesë e festivalit janë edhe filmat me metrazh të shkurtër janë të ndarë në dy seksione. Seksioni i parë dhe i dytë, janë të ndarë në nënkategori, film student, film i shkurtër i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, film dokumentar dhe fiction dhe filma vizatimor.
Në program janë dhe pesë filma të shkurtër fitues nga festivali i Strumicës, që u zhvillua para dy javësh dhe do të shfaqen në ditën e fundit në “Balkan Film Food Festival”.
Filmat do të shfaqen në Odeonin e qytetit dhe në kinema dhe çmimet do të jenë si çdo vit, “Filmi artistik me metrazh të gjatë më i mirë”, “Filmi artistik më i mirë i shkurtër”, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




