Ngjarje

Hipoteza tronditëse, nusja masakroi çiftin Pasho në Itali pasi ishte shtatzënë me një tjetër

Elona Kalesha kishte një motiv për të vrarë prindërit e të ish të fejuarit të saj, Teuta dhe Shpëtim Pasho, mbetjet e të cilëve u gjetën të fshehura në një valixhe në një fushë midis burgut Fipili dhe Sollicciano në dhjetor 2020.

Shtypi italian shkruan se ajo kishte frikë se çifti mund t’i zbulonte djalit të tyre Taulantit, se gruaja po priste një fëmijë nga një burrë tjetër. Dhe se Taulanti mund ta vriste. Elona e ndërpreu shtatzëninë, duke abortuar në një spital më 27 tetor 2015, pesë ditë para se çifti të zhdukej.

Me këto të dhëna, ka marrë një kthesë çështja e misterit të valixheve të gjetura në një fushë bujqësore në provincën e Firences në Itali.

Prokuroria paraqiti dokumente të reja në dosjen hetimore dhe do të duhet të vendosë më 20 shtator nëse do ta lirojë Elona Kaleshan nga qelia, e cila vijon të jetë e mbyllur në Sollicciano që nga dhjetori 2020, me akuzën e dyfishtë për vrasje me paramendim dhe fshehje të kufomës. Ndërkohë, Taulanti, djali i çiftit shqiptar, sipas prokurores Ornella Galeotti, nuk e dinte për shtatzëninë e të dashurës së tij.

Në vjeshtën e vitit 2015, ai vuante një dënim me akuzën për shpërndarje droge dhe nuk mund të kishte marrëdhënie me Elonën. Por ka edhe më shumë: Prokuroria thotë se Elona e dinte mirë vendin ku u gjetën valixhet.

Në dimrin e vitit 2015, në barrierën kundër zhurmës që kalon përgjatë autostradës pikërisht para burgut Sollicciano, ajo kishte vendosur një çarçaf me një mbishkrim dashurie: "Taulant, më mungon shumë!".

E dyshuara, gjithashtu e konfirmoi këtë në seancën (e pranishme nga distanca) para dy ditësh: "Unë e shkrova atë mesazh jo vetëm në një copë, por edhe në një mur".

Ishte Taulanti gjatë marrjes në pyetje, qershorin e kaluar para prokurores Ornella Galeotti, i cili raportoi atë deklaratë dashurie: "Elona gjithashtu më dërgoi foton e parrullës, por unë e grisa", - ka thënë djali i çiftit shqiptar.

Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe dëshmitë e disa familjarëve të tjerë, të cilët kanë thënë se një ditë para se të zhdukej, Teuta Pasho kishte shprehur dëshirën për të folur me djalin e saj në burg, Taulantin, për një çështje që kishte të bënte me Elonën dhe se ai do të duhej të zgjidhte mes familjes së tij dhe Elonës. Seanca është shtyrë me 20 shtator, pasi avokatët e vajzës kanë kërkuar kohë për shqyrtimin e dokumenteve të reja.

Ata kërkojnë lirimin e Elona Kalesha pasi thonë se në valixhet ku janë gjetur eshtrat e çiftit nuk ka pasur gjurmë të ADN-së të klientes së tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë