Njerez

Covid-19, fëmijët indianë kanë harruar të lexojnë dhe shkruajnë

Radhika Kumari mban shkumësin me vendosmëri dhe shkruan mbi dërrasën e zezë.

Por duket se vendosshmërinë e ka vetëm në mbajtjen e shkumësit pasi shkronjat i shkruan me ngadalë dhe plot gabime.

Radhika përpiqet të shkruajë alfabetin hindu, një detyrë e thjeshtë për shumicën e 10-vjeçarëve. Por, ajo po lufton sepse kanë kaluar 17 muaj që kur ajo ndoqi një orë mësimi, online apo në klasë.

Si kudo tjetër në Indi, shkollat ​​kanë mbetur të mbyllura që nga marsi i vitit të kaluar kur vendi hyri në izolim për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Shkolla fillore e Radhikas nuk ka ofruar mesim online gjatë vitit pandemik

Shkollat ​​private të pasura dhe nxënësit e tyre kaluan në orë online pa probleme, por shkollat ​​e drejtuara nga qeveria kanë hasur shumë vështirësi dhe nxënësit e tyre, shpesh pa laptopë apo telefonë dhe qasje të dobët në internet, kanë mbetur prapa.

Në Jharkhand, një shtet i varfër ku jeton Radhika, ky kalim në dixhitalizim ishte një goditje. Familja e saj është Dalit (kasti më i varfër i indisë, quajtur më parë edhe “të paprekshëm”) siç është pjesa më e madhe e fshatit Latehar.

Nuk ka internet në fshatin e saj të vogël. Ndërsa shkollat ​​filluan të rihapen në disa shtete, ekonomisti Jean Dreze takoi Radhika dhe 35 fëmijë të tjerë në fshatin e saj për të vlerësuar humbjen e të mësuarit në komunitetet e paprivilegjuara. Sondazhi mori parasysh materialet mësimore dhe klasat shtesë, vizitat e mësuesve, mësimin në internet dhe nivelin e arsimimit të prindërve ndër të tjera.

“Ishte vërtet tronditëse të zbuloje se nga 36 fëmijë të regjistruar në nivelin fillor, 30 nuk ishin në gjendje të lexonin një fjalë të vetme”, tha Dreze.

Ai shtoi se sondazhi zbuloi se shumica e nxënësve të shkollave fillore kishin filluar të binin pas në lexim dhe shkrim dhe nuk kishin pothuajse asnjë qasje në materialet mësimore.

“Hindu dhe anglisht ishin lëndët e mia të preferuara në shkollë”, thotë Radhika. Ajo tani mban mend pak gjëra për secilën gjuhë tani.

Ajo po mbaronte klasën e dytë kur filloi pandemia. Ajo tani futet në klasën e katërt edhe me gjithë vështirësitë që ka pasi është e detyrueshme sipas ligjit për arsimin në Indi që nxënësit kalojnë deri në klasë të pestë, pavarësisht çdo gjëje.

Qëllimi ishte lehtësimi i presionit ndaj fëmijëve duke siguruar një mjedis mësimor mbështetës. Shkollat ​​kanë ndjekur rregullin këtë vit pavarësisht ndërprerjes në mësim për kaq shumë nxënës.

Organizatat kanë ofruar mësim në ambient të hapur për të ndihmuar sadopak nxënësit

Fqinja e Radhika, shtatëvjeçarja Vinita Kumari, është po aq e ndikuar. Babai i saj Madan Singh zemërohet kur ajo nuk është në gjendje të lexojë ose të shkruajë edhe pse ajo ka 1 vit që po mundohet vetë pasi nuk ka shkuar kurrë në shkollë dhe nuk ka marrë kurrë pjesë në një orë mësimi online.

Duke treguar për librat e saj të rinj, ai thotë se nuk ka kohë ta ndihmojë pasi duhet të dalë për të siguruar jetesën. Në këtë fshat, shumica e prindërve janë të pashkolluar dhe të paaftë për të ndihmuar fëmijët e tyre të vegjël të studiojnë në shtëpi.

Dreze ka frikë se kjo mund të çojë në braktisjen e shkollës nga fëmijët më të vegjël.

“Fëmijët që nuk kanë mësuar asgjë në një vit dhe kalojnë direkt në klasën tjetër do ta kenë shumë të vështirë dhe kjo është njësoj sikur të braktisin shkollën”, thotë ai.

Dreze dhe tre ekonomistët e tjerë me të cilët po punon planifikojnë të anketojnë rreth 1500 fëmijë në tetë shtete të tjera Assam, Maharashtra, Odisha, Delhi, Punjab, Uttar Pradesh, Bihar dhe Madhya Pradesh. Vullnetarët do të shkojnë shtëpi më shtëpi duke intervistuar fëmijë nga pesë deri në 14 vjeç për të vlerësuar shkallën e tyre të shkrim-leximit në krahasim me regjistrimin e vitit 2011.

Pandemia gjithashtu ka zgjeruar hendekun gjinor në mësim. Disa familje mund të përballojnë të paguajnë për klasat pas shkollës, por shumica zgjedhin të dërgojnë vetëm djemtë e tyre.

Vëllai i Radhika, Vishnu, është një vit më i ri, por falë orëve pas shkollës ai është shumë përpara saj në lexim dhe shkrim. Radhika është më e vogla nga pesë motrat dhe asnjëra prej tyre nuk ka ndjekur asnjë klasë online, në shkollë ose pas shkollës vitin e kaluar.

“Klasat shtesë të Vishnu kushtojnë 250 rupi (3.4 dollarë) çdo muaj”, tha nëna e fëmijëve, Kunti Devi.

“Ne nuk kemi para të mjaftueshme për të paguar edhe për gjashtë motrat e tij”.

Kjo nuk është familja e vetme që ndjekin këtë ide. Shumë prindër indianë zgjedhin të investojnë në edukimin e djalit të tyre sepse shpresojnë të mbështeten prej tij kur të plaken, vajzat, nga ana tjetër, martohen në një familje tjetër dhe largohen nga shtëpia.

Të dhënat tregojnë se prindërit e varfër kanë më shumë gjasa të regjistrojnë vajzat e tyre në shkolla falas të drejtuara nga qeveria, ndërsa kursejnë për t’i dërguar djemtë e tyre në shkolla private të lira.

“Pothuajse në mënyrë të pavetëdijshme, vajzat si Radhika do të fillojnë të besojnë se ka gjëra që ajo mund të dojë, por vëllai i saj i vogël do t’i marrë. Ajo e merr për bazë këtë atë, nivelet e saj të besimit, ndjenjën e saj të vetëvlerësimit, të gjitha ndikohen”, tha Samyukta Subramanian, e cila drejton programin e arsimit të hershëm në Pratham, një nga organizatat më të mëdha indiane jofitimprurëse.

Vishnu është më i vogel se Radhika, por shpesh i lexon ai asaj

Raporti i fundit Vjetor i Gjendjes së Arsimit (ASER) i Pratham zbuloi se dy të tretat e fëmijëve të anketuar nuk kishin marrë materiale mësimore ose aktivitete.

Subramanian sugjeroi që ndërsa hapen shkollat, mësuesit duhet të kalojnë kohë me fëmijët në aktivitete argëtuese në grup për të vlerësuar nivelet e tyre të të mësuarit pa ushtruar presion shtesë mbi ta.

“Edukimi në klasë do të duhet të përshtatet aty ku fëmija është në kurbën e tyre të të mësuarit, përndryshe shumë nga këta fëmijë thjesht nuk do të jenë në gjendje të përballojnë mësimin”, shtoi ajo.

Ndërkohë sytë e Radhikës shkëlqejnë kur mendon kthimin në shkollë.

“Unë do të hap derën e mbyllur dhe më në fund do të ulem në bankën time”, thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë