Ka ndodhur

Me shpejtësi deri në 155 km/h dhe të dehur, 12 shoferë të arrestuar

Policia Rrugore ka ushtruar përgjatë këtyre 5 netëve kontrolle në hyrje dhe dalje të Tiranës, ku ka konstatuar disa raste shkelje të rregullave të qarkullimit.

Policia bën me dije se janë monitoruar me radar konkretisht akset në Vorë, tek Tegu, Bërzhitë dhe në Ibë ku janë konstatuar mjete që lëvizin me shpejtësi deri në 155 km/h si dhe drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë dhe alkoolin në timon.

Policia thotë se nga monitorimi me dragera gjatë 5 netëve janë konstatuar 68 drejtues mjetesh nën ndikimin e alkoolit që varionte nga 0.07 mg/l deri në 0.27 mg/l si dhe 45 drejtues mjetesh në masën nga 0.32mg/l deri në 0.45 mg/l.

Po gjatë kontrolleve janë arrestuar në kushtet e flagrancës 12 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Ndër të tjera, Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë