Humor

“Hapni këmbët”; neozelandezët kthejnë në humor gafën e ministrit

Një lapsus i pafajshëm i ministrit të Shëndetësisë në Zelandën e Re ka mjaftuar që i gjithë vendi të shpërthejë në humor dhe të dëgjojë “këshillën” e tij për mbrojtjen ndaj Covid me doza të forta ironie e sarkazme.

Gjatë një konference të shkurtër për mediat ditën e diel, ministri Chris Hipkins po përditësonte vendin me numrin në rritje të infeksioneve të reja, kur u kërkoi neozelandezëve që të respektonin distancën sociale gjatë “hapjes së këmbëve” kur dalin jashtë.

“Do të jetë një sfidë (për të ruajtur distancën sociale) për njerëzit në zonat e populluara kur dalin jashtë për të hapur këmbët të rrethuar nga njerëz të tjerë”, tha ministri.

Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë, Ashley Bloomfield, që po qëndronte në krah të ministrit ngriti vetullat dhe nënqeshi, ndërsa ministri vijoi me fjalimin e tij.

Para se të largohej, Hipkins e kuptoi gafën e pafajshme që kishte bërë dhe sqaroi se ajo që kishte dashur të thoshte ishte “çmpirja e këmbëve” dhe se ishte i vetëdijshëm se “gafa do të përhapej me shpejtësi”.

Ashtu ndodhi! Në Twitter, përdoruesit neozelandezë të rrjetit sociale nisën hashtagun #spreadyourlegs dhe u bënë thirrje bashkëqytetarëve që “të hapnin këmbët dhe të shpëtonin jetë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë