Ka ndodhur

Mbytet një turist ukrainas në plazhin e Golemit, viktima e 4 në dy ditë

Një turist nga Ukraina, ka humbur jetën ndërsa ishte duke u larë në det në plazhin e Golemit në Kavajë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e të martës dhe mësohet se shtetasi A.G., 66 vjec është nxjerrë nga uji nga pushuesit e tjerë, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Ky është rasti i tretë brenda dy ditësh i mbytjes së pushuesve në plazhet e vendit, si dhe viktima e katërt. Të dielën e shkuar, humbën jetë tre turistë, dy në plazhin e Spillesë dhe një në Velipojë.

Dy pushuesit që u mbytën në Spille, ishin nga Maqedonia e Veriut, kurse në Velipojë humbi jetën një 59-vjeçar nga Kosova.

Prej vitesh tashmë, problematikë në plazhet shqiptare është mungesa e rojeve bregdetare dhe në pjesën më të madhe të rasteve angazhohen pushuesit për t’u dhënë ndihmën e parë personave që rrezikojnë mbytjen në det.

Nga fillimi i sezonit veror dhe deri më tani, dyshohet se rreth 20 persona kanë humbur jetën në plazhe, liqene dhe lumenj si pasojë e mbytjes.

Gjatë këtij sezoni nuk kanë munguar rastet kur pushuesit janë ankuar se në plazhe mungojnë vrojtuesit, ç’ka do të ishte efikase për shpëtimin e jetës së njerëzve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë