Një atentat i stilit mafioz tronditi mbrëmjen e të hënës qytetin e Lushnjës, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën disa të tjerë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15 në qendër të qytetit.
Viktima është Bledar Muça, rreth 34 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi atentati. Ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një makinë tip “Golf”, duke lënë të plagosur edhe 3 persona të tjerë.
Të plagosurit janë transportuar në spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore. Ata janë identifikuar si Judin Velo, Ervis Tafa dhe Sara Liçi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një zonë mjaft të populluar, duke krijuar panik dhe frikë mes banorëve.

Sipas dëshmitarëve, një makinë tip “Golf” ka ndaluar para lokalit dhe një person zbret, duke u drejtuar për te tavolina ku ishte ulur Muça nën shoqërinë e disa personave të tjerë mes të cilëve kunati, Judin Velo. Si pasojë e të shtënave, 34-vjeçari ka ndërruar jetë në vend.
Rreth 1 orë e gjysmë pas ngjarjes, policia njoftoi se në fshatin Thanasaj ishte gjetur i djegur një automjet që dyshohet se i përkiste autorëve.
Mbeten të paqarta shkaqet apo personat që fshihen pas këtij atentati. Policia thotë se vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




