Politike

Vetëm një shtet i BE do të pranojë afganë, në Ballkan tre të tillë

Nga pesë shtete europiane që kanë pranuar deri më tani që të strehojnë refugjatët afganë, tre ndodhen në Ballkan dhe vetëm një vend është anëtar i Bashkimit Europian.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken publikoi listën e shteteve që kanë pranuar të strehojnë afganë që konsiderohen si “refugjatë potencialë” në SHBA, por për të cilët nuk kanë përfunduar ende procedurat e miratimit të vizave speciale.

Në Ballkan, përveç Shqipërisë e Kosovës, afganët do të strehohen edhe në Maqedoninë e Veriut. Një pjesë do të strehohen në Ukrainë, ndërsa nga vendet e Bashkimit Europian që do të pranojë strehimin e tyre të përkohshëm është vetëm Polonia.

Në total janë 13 vende që do të presin refugjatët afganë, ku pesë vendeve europiane u shtohen edhe Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika, Kili, Meksika, Katari, Ruanda dhe Uganda.

12 vende të tjera, që kanë pranuar deri më tani që të shërbejnë si tranzit për afganët janë Bahreini, Britania, Danimarka, Gjermania, Italia, Kazakistani, Kuvajti, Katari, Taxhikistani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani.

“Jemi të inkurajuar nga vende të tjera që po mendojnë të ofrojnë ndihmën e tyre. Nuk kemi prioritet më të madh se garantimi i sigurisë për shtetasit amerikane dhe mbajtja e premtimeve për shtetasit e vendeve aleate dhe afganëve që u rrezikohet jeta”, tha Blinken.

Grupi i parë i afganëve që do të mbërrijnë në Shqipëri aktualisht raportohet se ndodhen në bazën ushtarake amerikane të Ramstein në Gjermani. Ky grup parashikohej që të mbërrinte në Shqipëri ditën e diel, por mbeten të paqarta shkaqet e vonesave. Sipas protokollit të evakuuimit, afganët në këtë bazë amerikane u nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe që lidhen me shkaqe sigurie, si edhe testimeve anti-Covid dhe më pas duhet të largohen brenda një harku kohor prje 72 orësh.

Kjo do të thotë se në Shqipëri, afganët e parë mund të mbërrijnë në konviktet e Qytetit Studenti dhe hotelet e përcaktuara në Durrës brenda ditës së mërkurë, nëse nuk do të ketë ndryshime të planeve.

Ndërkohë, në një intervistë për “The Sunday Times”, të publikuar ditën e diel, Kryeministri Edi Rama mbrojti vendimin për të strehuar afganët, duke thënë se 30 vite më parë “shqiptarët ishin afganët e Europës”.

Numri i saktë i afganëve që do të strehohen në Shqipëri nuk dihet ende, por Kryeministri Rama në intervista me mediat e huaja ka përmendur shifra nga 1200 deri në 3000 të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë