Ka ndodhur

Makina del nga rruga dhe bie në kanal, humbin jetën dy persona në Fier

Dy persona humbën jetën, pasi makina me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal vaditës në zonën e Marinzës në Fier.

Viktimat, identitetet e të cilëve ende nuk dihen, dyshohet se janë punonjës të një kompanie sigurie që vepron në këtë zonë. Ata udhëtonin me një makinë fuoristradë tip “Nisan”, e cila përfundoi e përmbysur në kanalin e thellë në anë të rrugës.

Burimet thonë se ishte salla e monitorimit të kompanisë së sigurisë që lajmëroi policinë për aksidentin, pasi mjeti nuk po lëvizte më në rrugë.

dyshimet janë se shoferi i makinës mund të ketë pësuar infarkt, çka më pas ka bërë të humbë kontrollin e mjetit që doli jashtë rruge e përfundoi në kanalin e Marinzës.

Forcave të Policisë dhe atyre zjarrfikëse iu deshën disa minuta për të nxjerrë dy trupat e pajetë nga makina ku kishin mbetur të bllokuar.

Për nxjerrjen e automjetit nga kanali, u desh ndërhyrja me vinç, ndërsa trupat e viktimave u dërguan në morg në pritje të eksprtizës mjeko-ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë