Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të mbulojë të gjitha shpenzimet për afganët që do të strehohen në vende të ndryshme të botës, derisa të përfundojnë procedurat ligjore që ata të vendosen në SHBA.
Lajmi u bë i ditur në një takim të organizuar nga Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy R. Sherman dhe Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në takim me përfaqësuesit e dhjetëra shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, SHBA-ja shprehu “vlerësimin e thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë.
Ashtu si Shqipëria, adhe Kosova i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talibanët morën kontrollin e Afganistanit.
Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se sa afganë do të strehohen në vendin tonë apo Kosovë dhe kur do të arrijnë ata. Shqipëria është në pritje të mbërritjes së grupit të parë të afganëve, që do t’i strehohen përkohësisht derisa atyre t’u rregullohen dokumentacionet e nevojshme për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka deklaruar se Shqipëria është e gatshme të strehojë mijëra afganë, të cilët po evakuohen nga Afganistani, pas marrjes së pushtetit nga talebanët.

“Gjatë takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s kemi diskutuar për situatën në Afganistan. Shqipëria është e gatshme të strehojë mijëra afganë. Kjo është një sfidë për NATO-n. Nëse Shqipëria mund ta bëjë një gjë të tillë, pse mos ta bëjnë edhe të tjerët”, shkroi ajo në Twitter.
Ministrja Xhaçka tha se strehimi i afganëve është “obligim” pasi ata kanë punuar me forcat e NATO-s.
“Ne mundemi dhe duhet të ndihmojmë. Kjo ka të bëjë edhe me të ardhmen e NATO-s aq sa është edhe mision humanitar”, nënvizoi ajo.
Më shumë se 18,000 njerëz janë evakuuar nga Kabuli që kur talebanët pushtuan kryeqytetin e Afganistanit, tha një zyrtar i NATO -s të premten.
Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër ka zbuluar se numri i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri mund të shkojë në 3000. Në një intervistë për të përditshmen italiane IL Foglio, të enjten, Rama tha se strehimi i afganëve është një detyrim për vendin tonë.
“Flitet për 2000-3000 persona. Historia jonë na e imponon këtë gjë. E kemi jetuar luftën dhe kujtesën e saj e kemi të freskët”.
I pyetur nga gazetari italian nëse me këtë vendim qeveria shqiptare po i jep një leksion Italisë dhe vetë Europës që nuk duket shumë e përfshirë në procesin e strehimit të afganëve që kërkojnë t’i ikin regjimit taliban, Rama e mohon dhe shpjegon arsyet.
“Nëse Europa është e dyzuar edhe për Afganistanin, është sepse s’e mbajnë mend historinë. Nuk i jap leksione askujt. Aq më pak Italisë, ndaj së cilës jam shumë i lidhur. Por, po them se pritja e refugjatëve është detyrim i yni. Unë mbaj mend Millosheviçin, mbaj mend luftën, refugjatët, vdekjen torturat. Ishim ne afganët dikur, për ju italianët”.
Qeveria shqiptare dhe kosovare janë të parat që shprehen gatishmërinë për të mirëpritur disa qindra qytetarë afganë për një periudhë tranzitore, në mbështetje të kërkesës së SHBA. Si “shpërblim” për ndihmën, SHBA i ka dhuruar Kosovën 500 mijë vaksina kundër koronavirusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




