Bota

NATO, thirrje talebanëve që të lejojnë evakuim të sigurt të afganëve

Aleanca Veri-atlantike (NATO) i bëri thirrje të premten talebanëve që të lehtësojnë evakuimin “e sigurt dhe të rregullt” të të huajve dhe afganëve që kanë leje për t’u larguar nga Afganistani, pas raportimeve se disa njerëz kanë vështirësi që të arrijnë në aeroportin e Kabulit.

“U bëjmë thirrje atyre që kanë autoritet në Afganistan që të respektojnë dhe lehtësojnë largimin e tyre të sigurt dhe të rregullt, përfshirë edhe përmes Aeroportit Hamid Karzai në Kabul”, thanë 30 anëtarët e NATO-s përmes një deklarate të përbashkët më 20 gusht, pasi mbajtën një mbledhje urgjente.

“Përderisa operacionet e evakuimit po vazhdojnë, ne do të ruajmë koordinimin tonë të ngushtë përmes mjeteve ushtarake të aleatëve” në aeroport, thuhet në deklaratë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u tha ministrave të jashtëm, që morën pjesë në takim, se “sfida kryesore” për aleancën është që të sigurohen që njerëzit të arrijnë deri në aeroport, pasi ka raportime se militantët po përndjekin afganët që kanë punuar për NATO-n.

NATO-ja ka prezencë civile prej rreth 800 personash në Afganistan, ku përfshihen edhe shumë afganë, por nuk ka personel ushtarak në terren.

Megjithatë, mijëra ushtarë të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve po vazhdojnë që ta mbrojnë aeroportin në Kabul dhe po koordinojnë evakuimet, që po pengohen nga shumë faktorë, që prej postblloqeve të ngritura nga talebanët e deri te problemet me dokumentacion.

NATO mbajti një takim virtual për të diskutuar përpjekjet për evakuim dhe për të diskutuar për marrëdhëniet në të ardhmen me talebanët, teksa janë rritur raportimet se militantët po kryejnë vrasje në zonat që po kontrollojnë.

Në deklaratën e përbashkët të ministrave të jashtëm të anëtarëve të NATO-s u tha po ashtu se “ne jemi të bashkuar në shqetësimin tonë lidhur me ngjarjet e rënda në Afganistan dhe bëjmë thirrje që t’i jepet fund menjëherë dhunës. Ne po ashtu shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me raportimet për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut në mbarë Afganistanin”.

Pas takimit, Stoltenberg tha se “talibanët duhet të respektojnë të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve afganë”.

Duke folur për shqetësimet se Afganistani mund të bëhet sërish strehë për ekstremistët, nën sundimin e talebanëve, Stoltenberg tha se aleanca “nuk do të lejojë terroristët të na kërcënojnë edhe njëherë ne nga Afganistani”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë