Nga 1 korriku dhe deri më sot, përmes pikës së kalimit të kontrollit kufitar në aeroportin e Rinasit, kanë hyrë mbi 100.000 shtetas shqiptarë e të huaj më shumë se në vitin 2019 për të njëjtën periudhë, viti para nisjes së pandemisë.
Kreu i departamentit të kufirit në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj, ndoqi nga afër masat e marra në aeroportin e Rinasit për përballimin e fluksit në hyrje të turistëve dhe shtetasve shqiptarë që janë rezident në vende të ndryshme të BE-së.
Kjo rritje nuk është parë vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka një fluks të shtuar.
Kryesisht hyrja është për arsye turizmi, ndërsa pjesa tjetër e personave që duan të hyjnë në Shqipëri janë për arsye pune ose për arsye të tjera të ndryshme.
Krahas masave lehtësuese për turistët policia kufitare ka marrë masa për parandalimin e krimeve ndërkufitare, si kapja e personave në kërkim, goditja e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike, deri te përdorimi i dokumenteve të falsifikuara në pikat e kalimit kufitar.
Gjatë sezonit turistik, Policia Kufitare në Rinas ka kapur 13 persona të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si dhe janë proceduar gjithsej 40 shtetas, 11 prej tyre për falsifikim dokumentesh.
Kreu i policisë kufitare tha se janë marrë masa administrative për pronarët e mjeteve lundruese ose argëtuese, siç janë motorët e ujit, duke u kërkuar të zbatojnë ligjet dhe procedurat pa cenuar qetësinë e turistëve dhe pushuesve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




