Nga Fatima* Deri para disa javësh isha cicerone, por edhe studente universiteti, mësuese, punonjëse sociale dhe drejtuese e një emisioni radioje.
Pastaj gjithçka ndryshoi brenda një dite: në kohën kur talebanët hynë në Kabul dhe unë pashë realitetin të shkonte në drejtim të kundërt me atë që unë shpresoja.
Teksa po lexoja një libër (më 15 Gusht) menaxheri i konviktit ku unë qëndroja trokiti në derën time për të më thënë se duhet të largohesha.
Me talebanët në rrugë, ai nuk mund të bënte asgjë për të më mbrojtur mua dhe prania ime atje mund të rrezikonte edhe të tjerë që strehoheshin në atë konvikt. Ishte koha për të ikur, edhe një herë pasi ika nga Herati.
Të gjithë vrapuan jashtë: ata u tronditën, u tmerruan, u hutuan se ku të shkonin dhe unë isha një prej tyre. Mes qindra njerëzve u ndjeva vetëm dhe bosh.
Lëviza pa shpirt, pa lot, pa energji për të bërtitur, pa një shtëpi për të shkuar. Më dukej si një makth dhe në atë makth harrova se po ecja pa hixhab, me burra që më pyesnin nëse isha çmendur apo kisha vendosur vullnetarisht të vdisja.
Brodha nëpër rrugë të panjohura për orë të tëra, pastaj më telefonoi G., operatori turistik për të cilin punoja. Më kishte dhënë një vend ku të rrija: shtëpinë e tij.
Nga dritarja e taksisë fillova të vëzhgoja Kabulin: ishte natë, rrugët ishin bosh dhe kishte vetëm talebanë përreth. Kur makina kaloi njërën prej tyre, unë mbulova fytyrën me shall. Unë u luta që ata të mos i kushtonin vëmendje makinës në të cilën udhëtoja.
Sot është dita e tretë që jam në shtëpinë e G. Sa e vështirë qenka të ndihesh e mbyllur si në një kafaz kur gjithmonë ke luftuar për të qenë e lirë.
Vazhdoj të mendoj për Heratin, familjen time, miqtë e mi dhe studentët e mi. Dje më pyetën kur mund të kthehen në klasë, unë u përgjigja se së shpejti do të kthehemi në klasë. Nuk kam guximin të them se ndoshta nuk do t’i shoh më.
Dikur kur isha fëmijë dhe kullosja delet, frika ime e vetme ishte se mos me hante ndonjë ujk, sot e rritur kurrë nuk kisha menduar se duhet të kem frikë nga talebanët.
Lum ju që nuk keni lindur në Afganistan, që nuk keni frikë se do të vriteni, që mund të kultivoni ëndrrat tuaja, që mund të udhëtoni.
Në këtë periudhë, e vetmja gjë që më jep ngushëllim është leximi: më ndihmon të mbaj një kokërr shprese. Shumë më pyesin se çfarë mund të bëjnë për të më ndihmuar dhe unë u them: më derdhni ujë të ftohtë në fytyrë derisa të zgjohem. Sepse e gjitha kjo është një makth, apo jo?
*(Për të mbrojtur sigurinë e autores që jeton në Afganistan, “La Stampa” nuk ka zbuluar identitetin e saj të vërtetë, as kohën e publikimit të ditarit të saj)
Përshtati në shqip; Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




