Njerez

“Askund për të shkuar”, rrëfimet e grave të divorcuara afgane dhe rreziku që pritet nga talebanët

Në Afganistan ekziston një thënie e vjetër për divorcin: “Një grua largohet nga shtëpia e babait të saj me rrobat e nusërisë dhe ajo mund të kthehet aty vetëm me qefinin e bardhë”

Në këtë shoqëri thellësisht konservatore dhe patriarkale, gratë që kundërshtojnë rregullat zakonore dhe kërkojnë divorc shpesh mohohen nga familjet e tyre madje shmangen edhe nga shoqëria afgane. 

Të mbetura vetëm, ato duhet të luftojnë vetë për të drejtat themelore, duke filluar nga marrja me qira e një apartamenti, që duhet të jetë me garanci nga një i afërm, domosdoshmërisht mashkull.

Pavarësisht nga stigma sociale dhe pengesat që hasin për të qenë të pavarura, sot ka gra të divorcuara që jetojnë në Afganistan.

Gratë si Roqia dhe Tahira, (emrat janë të ndryshuar) u divorcuan rreth tetë vjet më parë, dhe tani ndajnë bashkë një apartament. 

Së bashku, Roqia dhe Tahira janë përballuar me shumë pengesa duke mbështetur njëra -tjetrën, nga përvojat e tyre të ngjashme.

Të dyja gratë kanë lindur si refugjate në Iran. Roqia, 30 vjeç, erdhi në Afganistan në 2009 kur e ardhmja e vendit dukej më e ndritshme dhe plot shpresë. “Kur mbusha 20 vjeç, familja ime më martoi me një burrë që nuk e njihnim mirë. Ne u divorcuam disa vjet më vonë”, thotë ajo.

Menjëherë pas ndarjes, Roqia kuptoi se ajo nuk po divorcohej vetëm nga burri i saj, por edhe familja dhe komuniteti që e rrethonte. “Unë u refuzova. Nuk kisha asgjë dhe ku të shkoja”, thotë ajo. 

“Me djalin tim pesëvjeçar, shkova te babai, por ai ishte në shtratin e vdekjes. Unë nuk kisha burra të tjerë në jetën time që të më ndihmonin. Vëllai im vdiq disa vjet më vonë,” thotë ajo.

Burra dhe gra më pas u distancuan nga jeta e saj. 

“Nëna ime dhe të afërmit e tjerë më refuzuan, duke thënë se nuk i kisha dëgjuar këshillat e tyre për divorcin. Ata ishin kundër, kështu që unë nuk kisha më vend në shtëpinë e tyre”, thotë ajo.

Roqia dhe djali i saj kaluan një dimër të ftohtë në një strehë grash në Kabul. “Kur kuptova se nuk mund ta ushqeja më fëmijën tim për ditë të tëra, vendosa t’ia dorëzoja familjes së burrit tim,” thotë ajo. 

Në shumicën e divorceve në Afganistan, kujdestaria e fëmijëve mbi pesë vjeç i jepet babait.

Tahira, e cila vjen nga qyteti perëndimor i Heratit, ndan një histori të ngjashme.

“Unë u martova nga familja ime kur isha 19 vjec. Por nuk munda të jetoja me burrin që më dhanë, as dy vjet, ndaj vendosa të divorcohem,” thotë ajo.

Edhe ajo u shmang nga familja e saj.

“Ata nuk hanin në të njëjtën tryezë me mua, ose nuk preknin ushqimin që u bëja. Ata më thoshin, ‘ti je një grua e divorcuar dhe ajo që gatuan është e papastër,” rrëfen  ajo.

E lodhur nga stresi emocional dhe mendor, Tahira vendosi të largohej. “Ishte agim, dhe dielli nuk kishte lindur plotësisht. Unë lashë familjen time vetëm me rrobat e trupit. Hipa në një taksi për në Kabul dhe kurrë nuk e ktheva kokën,” thotë ajo.

Tani, pas krijimit të një jete të re, të pavarura në Kabul, Roqia dhe Tahira, dhe mijëra të tjerë në situata të ngjashme, përballen me një sprovë tjetër. 

Ndërsa talebanët po rrisnin kontrollin e tyre drejt Kabulit, ato kanë frikë për të ardhmen e tyre. 

“Nëse talebanët marrin Kabulin, ata nuk do të na lejojnë të jetojmë jetën e pavarur që bëjmë sot. Ne as nuk do të jemi në gjendje të largohemi nga shtëpitë tona sepse nuk kemi kujdestarë meshkuj, ” thotë Roqia.

Frika e tyre është e bazuar në tmerret që po tregohen në të gjithë vendin.

Në shumë qytete të pushtuara nga talebanët, janë vendosur rregulla të reja, përfshirë kufizimet në lëvizjen e grave.

Gratë nuk lejohen të dalin nga shtëpia nëse nuk janë në shoqërinë e një kujdestari mashkull dhe duhet te jenë të mbuluara plotësisht me burkën tradicionale.

Dhuna e përshkallëzuar ka detyruar shumë afganë të largohen nga shtëpitë e tyre, por gratë e divorcuara që jetojnë vetëm e gjejnë veten të izoluar, pa vend ku të ikin.

Megjithatë, më tmerruese është praktika e martesave të detyruara të vajzave të reja dhe vejushave me luftëtarët talebanë.

“Ne jemi shumë të shqetësuara për martesat e detyruara nga talebanët. Nëse ata vijnë, ne do t’i japim fund jetës sonë. Sepse ky është opsioni i vetëm për ne, ” thotë Tahira.

Zyrtarisht nuk ka statistika për numrin e të divorcuarve, vejushave dhe grave beqare, por në Afganistan mendohet se ka mijëra që jetojnë si të tilla në të gjithë vendin, veçanërisht në qytetet urbane. 

Fati i tyre qëndron në ekuilibër ndërsa talebanët po përparojnë.

Në provincën Parëan, në veri të Kabulit, 35-vjeçarja Sanobar  jeton me motrën e saj. 

Prindërit e tyre vdiqën menjëherë pas rënies së talebanëve, dhe vëllai i tyre i vetëm u vra në një aksident me makinë 10 vjet më parë, duke i lënë në mëshirë të fatit

Jetime dhe vetëm, të dy motrat nuk ishin në gjendje të shkonin as në shkollë. “Doja të isha mjeke dhe t’i shërbeja komunitetit tim. Kishte kaq shumë gjëra që donim të bënim, por tragjeditë dhe varfëria na lidhën ”, thotë Sanobar.

Duke jetuar në një zonë ku besimet vendase diktojnë se njerëzit nuk duhet të kenë një marrëdhënie me një familje nëse nuk ka burrë në shtëpi, ato janë braktisur me kohë.

“Fqinjët tanë i kanë ndërprerë të gjitha lidhjet. Ne jemi vetëm ” shton ajo, me trishtim.

Pavarësisht se u shmangën nga shoqëria për të vetmen arsye se nuk kishin në shtëpi një kujdestar mashkull, motrat “sipërmarrëse” e mbanin veten financiarisht duke qepur në shtëpi. 

Puna e tyre i ndihmoi ato të siguronin një kontratë, duke qepur  uniforma për të burgosurit. Duke fituar 6,000 afganë në muaj (55 £), ato mundën të mbijetonin në një shtëpi të vogël, thuajse e shkatërruar.

Por me talebanët që afrohen çdo ditë ne krahinën ku ato jetojnë, Sanobar dhe motra e saj janë jashtëzakonisht të shqetësuara. 

Së fundmi, ato kanë humbur edhe punën si rezultat i sulmeve të talebanëve.

Ndërsa situata përkeqësohet, një ndjenjë e thellë pasigurie qëndron mbi to.

“Ne nuk kemi ku të shkojmë. Nuk kemi as para për të shpenzuar, madje as mundësi të paguajmë qiranë e muajit tjetër. Çdo natë, frika se talebanët do të hyjnë në shtëpinë tonë na mban zgjuar” rrëfen Sanobar.

Marrë nga ‘The Guardian’/ Përshtati në Shqip; Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë