Ka ndodhur

Konflikt për pronën mes kushërinjve në Lushnjë, një i vrarë dhe tre të plagosur

Një person ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pas një konflikti për motive pronësie në Lushnjë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mes disa kushërinjve rreth orës 06:25 të mëngjesit të kësaj të enjteje në fshatin Garunjas të Lushnjës.

Viktima është 30-vjeçari Romeo Hasalla, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur babai i viktimës, Shuaip Hasalla 65 vjeç dhe dy vëllezërit e tij, Emiljano Hasalla dhe Laert Hasalla, 31 vjeç.

Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes, vëllezërit Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla. Në kërkim është shpallur edhe djali i Kastriot Hasallës, Mario Hasalla, 20 vjeç, por nuk dihet roli që ka pasur i riu në ngjarje.

Kushërinjtë Hasalla kishin konflikt prej vitesh në lidhje me një tokë në fshatin e tyre, ndërsa ngjarja u regjistrua pikërisht në këtë truall. Disa ditë më parë ata ishin konfliktuar verbalisht, ndërsa mëngjesin e sotëm situata ka precipituar në përdorimin e armës.

Shuaipi dhe tre djemtë e tij kanë shkuar mëngjesin e të enjtes të punojnë tokën dhe Kastriot dhe Afrim Hasalla kanë qëlluar mbi kushërinjtë e tyre me çifte, duke lënë të vdekur njërin prej tyre dhe plagosur tre të tjerët. Viktima, Romeo Hasalla, baba i dy fëmijëve të mitur, kishte dy ditë që ishte kthyer nga Greqia.

Forcat e policisë po krehin zonën për kapjen e autorëve, ndërsa ka pasur negociata me familjarët për dorëzimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë