Të hënën, familja Durdaj, që në tragjedinë e Gërdecit të ndodhur më 15 mars të 2008-s humbën djalin e saj 7-vjeçar, Erison Durdaj iu drejtua me një kërkesë Gjykatës së Posaçme, pak para vendimit pë rihapjen e hetimit ndaj Fatmir Mediut për Gërdecin.
Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj kërkuan rihapjen e hetimit për rolin e Mediut në ngjarjen e Gërdecit, një proces i bllokuar që prej shtatorit të vitit 2009, kur hetimet ndaj Mediut u bllokuan pasi ky i fundit rifitoi imunitietin pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti.
Prindërit e 7-vjeçarit thonë se bazuar në ndryshimet e 2017-s të Kodit të Procedurës Penale, ata legjitimohen për të kërkuar procedimin e fajtorit. Kërkuesit thonë se autoritetet shqiptare duhet të zbatojnë edhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut, që sipas tyre u jep të drejtë për rihapjen e hetimeve.
“Konkluzioni që shtetasi Fatmir Mediu duhet dërguar në gjykatë është i vetë Prokurorisë së Përgjithshme, megjithëse pas pushimit të kërkesës në vitin 2009 nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të rifilluar çështjen, pas rënies së shkaqeve penguese”, thuhet në kërkesë.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, që hoqën kërkesën për autorizim për Prokurorinë për zyrtarët që gëzonin imunitet i hapën rrugë prokurorisë edhe për çështjen Mediu, por sërish organi i akuzës nuk veproi.
Prindërit e 7-vjeçarit thonë se gjykimi ndaj Mediut duhet të rinisë edhe sepse kërkesa e tyre nuk bie ndesh me një vendim të Gjykatës së Lartë në vitin 2011, që rrëzoi një kërkesë të ngritur nga shoqatat për këtë çështje. Në këtë kërkesë, thonë ata, nuk janë të pranishme pengesat e tjera që konstatoi Gjykata e Lartë e cila rrëzoi kërkesën, sepse: Së pari, nuk jemi para rastit që kërkues është një shoqatë, por janë trashëgimtarët ligjorë të të ndjerit Erison Durdaj.
Së dyti, nuk jemi para rastit që ligji nuk i njeh të drejtë viktimave, pasi me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale në vitin 2017 (me ligjin nr. 35/2017), viktimat kanë të drejta të zgjeruara, të njohura për herë të parë nga legjislacioni procedural penal. Madje tashmë viktima njihet si palë në procesin penal dhe dëgjohet nga gjykata. Ky arsyetim bazohet edhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në çështjen Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë, u shpreh se ky set të drejtash i njihet viktimës dhe të afërmve të tij, që ata të bëhen pjesë aktive e procesit penal.
“Deri më sot nuk ka gjetur zgjidhje çështja më sipër, por me ndryshimin e legjislacionit përkatës, besojmë se jemi në kushtet e duhura që kjo kërkesë të marrë përgjigje pozitive dhe çështja në fjalë të dërgohet në gjykatë. Një rrethanë që e vë në diskutim bazueshmërinë e vendimit të pushimit dhe e bën të revokueshëm është edhe ndryshimi i ligjit që nuk kërkon më asnjë autorizim për të vijuar me ndjekjen penale që ka nisur. Amendamenti kushtetues i vitit 2012 e ka hequr kërkesën për autorizim për procedimin e deputetëve”, thuhet në kërkesë.
Ata kanë parashtruar një memo para gjykatës:
- ndjekja penale është një detyrim i shtetit shqiptar që buron nga konventat ndërkombëtare që kërkojnë hetimin dhe gjykimin e plotë për çdo humbje jete
- dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe duke i hapur rrugë gjykimit do të mundësohet një vlerësim i drejtë i të gjithë fakteve penale
- gjykata të zbatojë drejtpërdrejt nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të mos humbasë në teknikalitete, në dëm të thelbit të detyrës së prokurorisë dhe gjykatave të një shtet të së drejtës. Gjykata e Strasburgut ka kërkuar shpesh here nga shtetet që të bazojnë vendimet direkt ne Konvente.
- nëse gjykata ka dyshime se ndonjë dispozitë e ligjeve shqiptare bëhet pengesë për këtë gjykim, të ushtrojë të drejtën për t'iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t'i hequr pengesat antikushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.