Ka ndodhur

Aksidenti tragjik me 10 viktima, Rama dhe Basha ngushëllojnë familjarët

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar për aksidentin tragjik në Kroaci, ku 10 shqiptarë nga Kosova humbën jetën rrugës duke u kthyer nga Gjermania në Prishtinë, pasi autobusi doli nga rruga.

“Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova. Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave” shkruan Rama. Më herët ishte Lulzim Basha dhe ministrja Olta Xhaçka që ngushëlluan familjet e viktimave.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave nga aksidenti tragjik ndodhi mëngjesin e sotëm në Kroaci, ku autobusi me shqiptarë nga Kosova doli nga rruga.

“Me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, në të cilin sipas të dhënave të para ka viktima dhe të plagosur.

I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve” shkruan Basha.

Për ngjarjen tragjike ka reaguar edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. “Të pikëlluar thellë për humbjet tragjike të jetëve në Kroaci. Të gjithë shqiptarët ndajnë dhimbjen e vëllezërve tanë nga Kosova. Zemra dhe mendja jonë është me familjet dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve” shkruan Xhaçka.

Nga aksidenti mbetën 10 të vdekur dhe 48 të plagosur, 8 prej tyre në gjendje të rëndë. Autobusi me shqiptarë nga Kosova po vinte nga Gjermania.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë