Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, kërkon lirinë, me pretendimin se është i sëmurë, pasi vuan nga zemra dhe diabeti.
I arrestuar dy javë më parë për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderat, ai i është drejtuar sërish Apelit për të kërkuar lirinë në këmbim të garancisë pasurore.
Përmes avokatit të tij, Tushe argumenton se vuan prej disa vitesh nga sëmundjet kardiake, ka diabet, gur në tëmth, ka probleme me mushkërinë dhe është alergjik ndaj ushqimeve të caktuara.
Në kërkesën e avokatit të tij, evidentohet se Fatos Tushe nuk paraqet rrezikshmëri dhe për këtë arsye kërkohet që ndaj tij të caktohet një masë e lehtë sigurie.
Për të dalë nga qelia, Tushe pranon të vendosë garanci pasurore ose masën detyrim paraqitje. Lidhur me këtë kërkesë, gjykata do të japë vendim më datë 28 korrik në orën 09:00.
Fatos Tushe u arrestua pas hetimeve të SPAK për tenderin e Bashkisë së Lushnjes për pastrimin e kanalit vaditës me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në përgjimet e SPAK dolën edhe raste të tjera të shkeljes së ligjit, kur karburanti shtetëror për Bashkinë Lushnjë përdorej dhe abuzohej nga persona të tjerë. Pas arrestimit, Tushe u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Lushnjës me vendim të Këshillit të Ministrave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.