Ana e errët

Rama la 100 ditë afat. Cilat janë policitë që kanë mërzitur qytetarët sipas SHÇBA-së

Kultivimi i kanabisit dhe favorizimi prej policisë ndaj trafikantëve, është një nga shqetësimet më të mëdha, por gjatë vitit 2020, vetëm një qytetar rezulton të ketë guxuar dhe të ketë telefonuar SHÇBA-në, duke i dhënë gjeneralitetet dhe duke i treguar se një zyrtar policie po favorizonte mbjelljen e bimës narkotike.

Gazetasi.al, gjatë specialeve për fenomenin e drogës në Shqipëri, e ka trajtuar shpesh humbjen e besimit të qytetarëve tek policia në këtë pikë, e po ashtu edhe humbjen e informatorit.

Ndërkohë që të dhënat jo zyrtare të bazuara në burimet e Gazetasi.al, kofirmohen nga raporti vjetor i SHÇBA-së që hedh dritë mbi punën e këtij institucioni, si dhe e trajton policinë sipas këndvështrimit dhe ankesave të qytetarëve.

Megjithë dilemën e qytetarëve për të treguar policët dhe komisarët e drogës, SHÇBA tregon se u hapën 33 procedime për efektivë të përzierë në favorizm  të kultivimit të kanabisit përgjatë 2020-ës, prej të cilëve doli se u hetuan dhe u vunë para përgjegjësisë 73 punonjës policie dhe 30 u arrestuan.

Në 24 raste, SHÇBA pranon se të hetuarit dhe të kontrolluarit janë të nivelit drejtues. Sa i takon policëve që po heton SPAK, në raportin e vendosur në dispozicion Gazetasi.al, përmendet: “Ajo që për këtë vit vlen të theksohet, janë procedimet penale të hetuara me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjithsej 24 procedime penale, të cilat për vetë konstruktin dhe kriteret që duhet të plotësojnë, janë procedime që kërkojnë nivel të lartë profesional dhe integritet. Hetimet e kryera me SPAK, përveç sa tregohen në statistika, janë hetime të vlerësuara nga titullarët dhe prokurorët e këtij institucioni. Të gjitha procedimet janë premtuese, po ndiqen me metoda speciale të hetimit, me plane hetimore të përbashkëta dhe bashkëpunimi me prokurorët e SPAK, kanë qenë në nivel maksimal pozitiv”.

Në krye të listës së denoncimeve të shtetasve që kanë telefonuar SHÇBA-në, qëndrojnë ankesat dhe dyshimet se policia nuk po vepronte dhe nuk po kryente detyrën.

Janë 388 ankesa të tilla që hedhin dritë-hije mbi efiçencën e oficerit, për të vazhduar me kundërshtimet dhe pikëpyetjet që qytetarët kanë hedhur ndaj gjobave të policisë.

Rezultojnë 308 qytetarë që nuk kanë hezituar, por kanë telefonuar dhe kanë kërkuar hetim admiistrativ për efektivin, së pari ndaj policëve rrugorë, që akuzohen në 177 raste se prenë gjobë të padrejtë dhe të pabazuar, në 28 raste gjoba është pretenduar si selektive me dyshimet se përse u gjobit qytetari në fjalë për parkim të gabuar dhe jo edhe automjeti ngjitur me të.

Kurse, sa i takon pandemisë, 103 shtetas janë nevrikosur nga gjobat e patrullave për maskën dhe kanë kërkuar hetim të policit. Në vend të tretë të ankesave ndaj policëve, qëndrojnë 187 denoncime për shkelje të standarteve të procedurës së detyrës, si mënyra si është reaguar gjatë shoqërimit të një shtetasi, marrjes në pyetje të tij apo edhe administrimit të vendngjarjes.

Të gjithë të interesuarit, rezultojnë palë të prekur nga veprimet e punonjësit të policisë, ku në shumicën dërrmuese, bëhet fjalë për veprime arbitrare, ndërsa mes tyre 56 janë shoqërime të padrejta në komisariate.

Policitë që shkaktojnë pakënaqësi

Kryeministri Edi Rama i ka lënë afat drejtuesve të policisë 100 ditë për të ndryshuar fytyrën e saj, por edhe performancën. Por raporti që bazohet tek ankesat e qytetarëve është i qartë dhe tregon se për çdo komisariat në nivel lokal dhe qendror, qytetarët janë të pakënaqur.

Megjithatë policitë për të cilat qytetarët ankohen më shumë, rezultojnë të jenë tre, ajo e Tiranës, policia e Vlorës dhe e Durrësit që kanë detyruar 847 shtetas të ankohen dhe t’ju shkaktojnë pakënaqësi. 

Këto drejtori vendore, konstatohen nga qytetarët si  shpërdoruese të detyrës dhe jo efikase. Ndërsa për paradoks, nuk përmenden në ankesa, komisariate të tjera, ku krimi realisht ka qenë tronditës, si Elbasani.

Nga ana tjetër, notë të mirë ka marë nga qytetarët Policia e Korçës, për të cilën janë ankuar për një vit vetëm pesë qytetarë, edhe ata siç mësohet nga burimet jo zyrtare të Gazetasi.al, kanë pretenduar gjoba të padrejta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë