Euro 2020

Anglia humb Foden për finalen, Kejn ngre në qiell dyshen Kielini-Bonuçi

Një ditë para finales së Euro 2020, Anglia ka humbur një nga lojtarët e saj më të talentuar. Bëhet fjalë për Fill Foden, i cili nuk është stërvitur në seancën e fundit, pasi ka pasur një traumë të vogël, sipas stafit mjekësor të “Tre Luanëve”. Lojtari i Mançester Sitit ka dëmtuar gjurin dhe sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Southgejt për finalen me Italinë.

Foden ishte titullar në ndeshjet e para në grup me Anglinë, por më pas u ul në stol dhe në vend të tij janë aktivizuar Saka i Arsenalit dhe Sanço i Mançester Junajtid. Gjithsesi, Foden ka luajtur si zëvendësues dhe e ka ndihmuar skuadrën për të arritur deri në finalen e “Wembley”-t.

Herri Kejn, feston një gol ndaj Ukrainës. Gazeta Si, 10 korrik 2021

Para ndeshjes ka folur kapiteni i Anglisë, Herri Kejn, i cili mes të tjerash i ka bërë elozhe Italisë dhe veçanërisht dyshes së mbrojtjes Kielini-Bonuçi. “Do të jetë një ndeshje e madhe, Italia është një skuadër fantastike. Për mua do të jetë një betejë me dy luftëtarë si Kieleni dhe Bonuçi, dy mbrojtës të nivelit të lartë dhe me shumë përvojë”, - tha sulmuesi anglez, autor i 4 golave deri tani.

Në anën tjetër, trajneri Roberto Mançini nuk ka shqetësime sa i takon grupit të futbollistëve. Ai pritet të hedhë në fushë 11-shen që mposhti Spanjën, ndërkohë që ka theksuar se shpreson shumë të fitojë si trajner atë që nuk mundi ta fitonte si lojtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë