Dosje

Uniformat, si u zbulua një vit më parë afera miliona euro nga opozita e re

Operacioni në lidhje me abuzimin me tenderin e uniformave të policisë, me vlerë prej rreth 25 milionë eurosh, vjen gati një vit pasi deputetët e opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri bënë një kallëzim në SPAK, më 3 gusht 2020.

Ata pretenduan se tenderi i ishte dhënë një kompanie gërmimesh që nuk kishte lidhje me rrobaqepësinë, duke i kërkuar SPAK që të hetojë.

Deputetët e opozitës, kallëzuan për shpërdorim detyre dhe afera korruptive dy ministrat më të rëndësishëm të qeverisë “Rama”, Sandër Lleshaj dhe Olta Xhaçka.

Akuza ndaj dy ministrave u depozitua në SPAK nga ana e grupit parlamentar të opozitës së re, duke i akuzuar për abuzim me detyrën dhe për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv.

Gjithçka nisi dy vjet më parë kur Ministria e Brendshme hapi tenderin me vlerë kolosale prej 25 milionë eurosh me qëllim blerjen e uniformave për efektivët e Policisë së Shtetit deri më 2023.

Ka pasur akuza në vazhdimësi për tenderin që organizoi Ministria e Brendshme për uniformat e Policisë së Shtetit, drejtuar nga ish-ministri Sandër Lleshaj, i cili tenderin prej 25 milionë eurosh, dyshohet se e ka dhënë në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike, duke shkurtuar nga 52 në 24 ditë afatin minimal të kushteve në garë. Dyshimet janë se tenderi është përgatitur paraprakisht për një ofertues të veçantë.

I gjithë tenderi është një lëndë e prokurimit (jo e ndarë në grupe!) edhe pse përbëhet nga 2 zëra plotësisht të ndryshëm, njëri është krijimi i një zgjidhjeje aplikimi, domethënë një sistem që do t'u mundësojë atyre të kenë një proces të IT që do të mbyllë tërë zinxhirin logjistik, nga porositja, marrja e mallrave, shpërndarja te punonjësit individualë dhe përfundimisht përpunimi i faturave, etj.

Kompania “Marsi-al”, u ankua për mënyrën e modifikimit të dokumneteve të tenderit. Kjo kompani kishte fituar dhe tenderin prej 960 mijë eurosh për prodhimin e uniformave të policisë në dhjetor 2015. Por ankesa e kompanisë u hodh poshtë nga Komisioni i Prokurimeve Publike, KPP.

Ndërkohë, mes të arrestuarve të sotëm është edhe ish-drejtoresha Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila iu shkarkua nga kjo detyrë më 2 korrik, vetëm një javë më parë. Në vend të saj është komanduar njëra prej drejtuesve të Njësive të Agjencisë, Nertila Mihali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë