Treg

Hendeku gjinor në paga/Burrat kanë një pagë mesatare mujore më të lartë se gratë

Në vitin 2020, paga mesatare bruto për një të punësuar në Shqipëri ishte 53.662 lekë.

Rezulton se burrat kanë një pagë mesatare mujore bruto 6.6 % më të lartë sesa gratë, sipas publikimit më të fundit të raportit vjetor të INSTAT.

Kjo pagë është llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, dhe mbulon të gjithë sektorët e ekonomisë dhe kontribuesit, shtetas shqiptarë e të huaj, për të cilët ndërmarrja deklaron pagë mujore bruto.

Krahasuar me vitin e mëparshëm, në vitin 2020 vihet re një ulje e hendekut gjinor në paga me 3.5 pikë përqindje.

Sipas anketës së forcave të punës, gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës.

Përsa i përket popullsisë 15-64 vjeç, pjesëmarrja e grave në forcat e punës, ka një rënie të lehtë në vitin 2020, me 61.2 % nga 61.6 % që ishte në vitin 2019.

Sipas arsyeve së inaktivitetit, gratë mbesin jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë nxënës, studentë, në trajnim të mëtejshëm, përvojë pune pa pagesë (20.9 %) ose duke përmbushur detyrat shtëpiake (18.8 %).

Vetëm 0.6 % e burrave kanë si arsye të inaktivitetit të tyre përmbushjen e detyrave shtëpiake dhe 25.7 % e tyre janë studentë ose nxënës.

Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 77.1 % për burrat dhe 61.2 % për gratë e kësaj grupmoshe.

Struktura e të punësuarve sipas statusit të aktivitetit tregon se 43.3 % e grave janë të punësuara me pagë, ndërsa 22.8 % e tyre janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes.

 Për burrat e punësuar këto shifra janë përkatësisht 41.6 % dhe 13.1 %.

Një pjesë e konsiderueshme e burrave janë të vetëpunësuar 33.3 %, ndërsa gratë e vetëpunësuara përbëjnë 2.5%.

Për gratë dhe burrat e moshës 15-64 vjeç mbizotëron punësimi në sektorin e bujqësisë. Në vitin 2020, në sektorin bujqësor janë punësuar 41.4 % e të punësuarave gra, duke pësuar rënie prej 0.2 pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë.

Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave dhe burrave pas sektorit të bujqësisë është tregti, transport, hoteleri, shërbime të biznesit dhe administrative, pëkatësisht me 21.6 % të punësuara gra dhe 31.7 % burra.

 Në vitin 2020, sipas të dhënave të anketës së forcave të punës, shkalla e papunësisë për burrat në moshën 15-64 vjeç është 12.0 %, kundrejt 12,4 % të grave. Shkalla e papunësisë për burrat ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë. Situata e papunësisë për burrat është përmirësuar më shumë krahasuar me gratë, duke pësuar një rënie prej 0.2 pikë përqindje krahasuar me 2019, ndërsa për gratë ka një rritje me 0.6 (pikë përqindje).

Në këtë vit, sektori ekonomik, në të cilin hendeku gjinor në paga është më i lartë, është sektori i Prodhimit, ku vlera e H.Gj.P arrin në 24.9 %. Ndërsa sektori ekonomik ku H.Gj.P arrin vlerën më të ulët, prej (-5.9 %), është sektori i Ndërtimit.

 I parë sipas grup profesioneve kryesore, hendeku gjinor në paga arrin vlerën më të lartë për Zejtarët, dhe punonjësit e montimit të pajisjeve dhe makinerive, me 22,9 %. Vlerën më të ulët HGjP e arrin për Forcat e armatosura, me 2,5 %, pra burrat kanë një pagë mesatare mujore bruto 2,5 % më të lartë sesa gratë.

Në vitin 2020, gratë punëkërkuese të papuna marrin pjesë më shumë se burrat në programet e nxitjes së punësimit ndërsa burrat punëkërkues të papunë marrin pjesë më shumë në kurset e formimit profesional.

Numri i grave punëkërkuese të papuna në përgjithësi rritet me rritjen e moshës, ndërsa e kundërta ndodh për burrat. Të dhënat tregojnë se rreth gjysma e grave dhe burrave punëkërkues të papunë kanë arsim 8/9 vjeçar. Punëkërkues të papunë të regjistruar që përfitojnë ndihmë ekonomike për vitin 2020 janë 49,2 % burra dhe 50,8 % gra, ndërsa përfitues të pagesës së papunësisë janë më shumë gra me 54,7 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë