Euro 2020

Zhorzhinjo-Sterling, dueli brenda finales edhe për “Topin e Artë”

Me shumë mundësi, Itali-Angli nuk do të shpallë vetëm fituesin e Europianit, por mund të ketë ndikim të drejpërdrejtë edhe për fituesin e “Topit të Artë”, me Zhorzhinjon dhe Sterling kandidatë potencialë. Kandidati i tretë mund të vijë nga Kupa e Amerikës, ku Mesi dhe Nejmar do të diskutojnë trofeun e kontrinentit pak a shumë në të njëjtën kohë.

Më të vështirë e ka braziliani, i eliminuar me PSG-në në Ligën e Kampionëve, ndërkohë që as titullin në Francë nuk e fitoi. Ndryshon diskutimi për Mesin, që prej vitit 2007 nuk ka qenë kurrë poshtë vendit të tretë në “Topin e Artë”. Dihet, ai dhe Ronaldo marrin vota edhe kur nuk e meritojnë, është fuqia mediatike. Por në 2021-shin, të privosh nga ky çmim njerin mes Zhorzhinjos dhe Sterling, do të ishte e padrejtë.

Zhorzhinjo feston golin e kualifikimit ne finale. Gazeta Si, 9 korrik 2021

Pse Zhorzhinjo? Dikujt mund të mos i pëlqejë fakti që një mesfushor qendre të fitojë çmimin prestigjioz. Por diskutimi është më i gjerë: ose vlerësohet absolutisht më i miri dhe gara nis nga vendi i dytë e poshtë, pas Mesit (teknikisht më i miri), ose vlerësohet sezoni. Dhe këtu nuk ka garë. Zhorzhinjo është një nga lojtarët kyç të Çelsit, kampion Europe. Londinezët fluturuan kur Tuhel e rikuperoi pas problemeve me Lampard. Nuk ka gabuar asnjë ndeshje me Italinë edhe para Europianit.

Zhorzhinjo nuk është Pirlo, por është thelbësor. Nëse nuk luan ai, nuk fiton. Pesha e tij specifike është shumë e madhe, si Shneijder tek Interi dhe Injiesta te Spanja: por sërish fitoi Mesi. Padrejtësi. Mesfushori italo-brazilian është 30 vjeç dhe është rritur gjithë kohën, kjo është një meritë. Sot është një mesfushor total për Mançinin, manovra “axurre” lëviz shpejt prej tij. Zhorzhinjo është lojtari më esencial dhe më i dobishëm, ai që bën edhe më shumë kilometra, 72.3 në këtë turne. Mendje dhe zemër.

Sterling feston nje gol ne Euro 2020. Gazeta Si, 9 korrik 2021

Pse Sterling? Edhe ai po luan një Europian të madh. Pa golat dhe driblimet e tij në të majtë, Anglia nuk do të ishte në finale. Por, po të shikojmë sezonin, ndryshon puna. Shpesh nuk ka luajtur te Mançester Siti dhe dështoi në finalen e Ligës së Kampionëve pkërish kundër Zhorzhinjos. Anglezi ka avantazhin që është një sulmues, roli më i vlerësuar. “Topi i Artë” në fuqi është Mesi që nga 2019-a: në 2020-ën çmimi nu u dha. “Best Fifa 2020” u shpall me të drejtë Levandovski.

Kush mund të jetë “Top 10” e vitit? Brenda saj me siguri janë Zhorzhinjo dhe Sterling. Mesi, Ronaldo i rekordeve, De Bryjne, Levandovski, Kante. Atyre mund t’u shtohen Lukaku, Havertz, Nejmar dhe Kejn që po rritet me golat e fundit në Europian. Situatë fluide ende për shkak të dy finaleve që pritet të luhen. Kuptohet, Zhorzhinjo-Sterling është një duel teorik: kryqëzimet mes tyre në fushë nuk do të kenë frekuencë të lartë. Më shumë italiani do të ketë përballë Mount, shokun e ekipit te Çelsi. Por kontrolli i Sterling nis nga regjia mbrojtëse e Zhorzhinjos. Nëse fiton, do t’i bënte një nder edhe Mançinit, do të ishte kandidati legjitim për trajnerin më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë