Euro 2020

Konfirmohen deri në 2022-shin Deshamp te Franca dhe Martinez te Belgjika

Pavarësisht eliminimit të shpejtë në Europian, Didier Deshamp do të qëndrojë në krye të Francës edhe për Botërorin 2022. E ka konfirmuar lajmin vetë presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, në një intervistë për “Le Figaro”. "Deshamp do të jetë trajner i Francës edhe në Katar, e zgjidhëm çështjen në 3 minuta. Dëshira e tij është të vazhdojë, edhe dëshira ime kjo ishte. Nuk pati asnjë diskutim”, - tha Le Graet.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me trajnerin e Belgjikës, Roberto Martinez, i konfirmuar deri në Kupën e Botës 2022. Lajmin e ka bërë të ditur vetë trajneri spanjoll gjatë një konference shtypi: "Jam i përqendruar te kualifikueset e Botërorit dhe te “Final Four” e Ligës së Kombeve. Kemi folur shpesh për të ardhmen time, para dhe gjatë Europianit, por në mendjen time ishte shumë e qartë".

Roberto Martinez. Gazeta Si, 9 korrik 2021

Me kontratë që prej korrikut të vitit 2016, Martinez është i lidhur me Federatën Belge të Futbollit deri në fund të Botërorit 2022 në Katar. Federata kishte konfirmuar që të mërkurën se do të qëndronte Martinez, pavarësisht ecurisë zhgënjyese në Europian të “Djajve të kuq”, të eliminuar në çerekfinale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë