Bjorn Kuipers është arbitri që do të mbajë finalen Itali-Angli të Euro 2020, që luhet të dielën në “Wembley”. Holandezi do të ketë si asistentë bashkombasit Sander van Roekel dhe Ervin Zeinstra, arbitër i katërt do të jetë spanjolli Karlos del Cerro Grande, ndërsa në dhomën e VAR-it do të jetë gjermani Bastian Dankert.
Kuipers e ka gjykuar katër herë Italinë dhe “axurrët” me të regjistrojnë 1 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. Fitorja e vetme është piëkrisht në një sfidë ndaj Anglisë, më 15 qershor 2014, gjatë Botërorit të Brazilit. Ishte një ndeshje e Grupit D, ku për Italinë shënuan Markizio dhe Baloteli, ndërsa për Anglinë barazoi përkohësisht Starrixh. Në atë ndehsje ishin në fushë Verrati, Sirigu, Kielini dhe De Rosi (tani asistent i Roberto Mançinit), në stol ishin Bonuçi, Insinje dhe Imobile.
Për Anglinë ajo humbje është e vetmja me Kuipersin arbitër. Në dy ndeshje të tjera, ndaj Suedisë dhe Polonisë, anglezët kanë fituar. Kuipers e ka nisur gjykimin në vitin 2005 dhe një vit më pas është bërë ndërkombëtar. Mes ndeshjeve të tij më të rëndësishme spikat Superkupa e Europës 2011 mes Barcelonës dhe Porto, finalet e Ligës së Europës 2013 mes Benfikës dhe Çelsit dhe 2018 mes Atletiko Madrid dhe Marsejës, si dhe derbi madrilen i finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2014.
Holandezi ka një eksperiencë të konsiderueshme. Ai ka arbitruar gjithashtu finalen e Kupës së Konfederatave 2013 mes Brazilit dhe Spanjës, si dhe finalen e Botërorit U-20 mes Venezuelës dhe Anglisë. Në Botërorin e 2018-ës ishte arbitër i katërt në finalen mes Francës dhe Kroacisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.