Kryeministri Edi Rama u dha 100 ditë kohë drejtuesve të policisë në 12 qarqe, që të spastrojnë nga radhët e kësaj strukture elementët e korruptuar, apo të lidhur me krimin.
“Një pjesë duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhen vënë para drejtësisë në çdo qark. Nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta. Nuk e keni problem as t’i gjeni dhe as t’i kapni nga krahët dhe as t’i çoni para drejtësisë. 100 ditë është një objektiv i palëvizshëm në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, shqiponja, skifterë dhe çakej që janë të infiltruar brenda trupit të policisë duhet të shkojnë para drejtësisë”, tha ai.
Rama foli gjatë një takimi që zhvilloi me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, ku afatin 100-ditor e dha edhe për përmirësimin e imazhit të policisë dhe etikës së saj përballë qytetarëve.
“Keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. 100 ditë, asnjë ditë më shumë që qytetarët të marrin frymë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje e luftë me një të panjohur, thjesht të bëni gjërat që dini t’i bëni mirë, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre”, vijoi Rama.
Kryeministri foli për një fazë të re reformimi të planifikuar ku ka hyrë Policia e Shtetit, por që është përshpejtuar nisur nga ngjarjet kriminale të kohëve të fundit. Objektivi është që Shqipëria të ngjitet në mesataren e BE sa i takon shifrave të treguesve të sigurisë publike.
Duke iu referuar ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur në zonat bregdetare, në Velipojë dhe Sarandë ku përplasje me armë zjarri dhe viktima pas orës së ndalim-qarkullimit Rama u kërkoi drejtuesve të policisë që të mos tolerojnë pronarët e lokaleve.
“Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin dhe tejkalojnë kufirin e orës policore dhe krijojnë hapësira abuzivizmi të atillë që degjeneron në krisma e plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal?! Kush janë këta?!”, tha ai.
Përgjigjen e dha po vetë.
“Këta janë tutorët e Policisë së Shtetit në ato territore. Këta janë korruptuesit e Policisë së Shtetit. Këta janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e Policisë së Shtetit, që tërheqin prej hunde policë, shefa komisariatesh duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm”, tha ai.
Kryeministri solli si shembull tipik rastin e përplasjes me armë në një lokal në Sarandë, që vijonte aktivitetin pas orës policore.
“Rasti i Sarandës ishte një rast alarmant dhe e kam ndarë këtë gjë me ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm që ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë, jo në hetime administrative në masa ordinere”, deklaroi Rama.
Sipas Kryeministrit, përgjegjësitë kryesore për ata që shkrehin armët në mes të qytetit bien mbi ata që lejojnë të ushtrojnë aktivitete në shkelje të ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.