Luis Enrike i ka bërë elozhe Spanjës së tij, pavarësisht se nuk e ka fshehur hidhërimin për eliminimin nga penalltitë në gjysmëfinalen me Italinë. "Të gjithë janë krenarë për këtë kombëtare, - tha Enrike pas ndeshjes. - Objektivi ishte që të formonim një skuadër dhe që tifozët të ndiheshin krenarë për lojtarët e tyre. Spanjës i vendos notën 9".
Më tej edhe një thumb për Italinë: "Gjatë kohës shtesë ata mezi po prisnin që të shkonin te penalltitë, kurse ne kishim mundësi për të luajtur edhe gjysmë ore më shumë”, - u shpreh trajneri i spanjollëve, që gjithsesi e ka uruar Italinë për kalimin në finale dhe ka thënë se do të bëjë tifoz për të.
“Kemi bërë një Europian të madh. Kemi qenë superiorë, nuk kemi fituar vetëm detaje përpara penalltive. Pas 9 vitesh në “shkretëtirë”, Spanja është kthyer. Për Kupën e Botës kemi veteranë dhe të rinj të pjekur që do të na japin shumë gëzim. E kemi duartrokitur skuadrën, sepse ka bërë një punë shumë të madhe. E falënderova Moratën dhe e përqafova, na lejoi të ëndërronim", - shtoi Enrike.
Në fund ai ka komplimentuar talentin Pedri: "E patë çfarë bëri Pedri, një djalosh 18-vjeçar? Nuk kam parë asnjë si ai, as Injiesta nuk ishte i tillë në këtë moshë. Është diçka anormale".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.