Euro 2020

Sot Angli-Danimarkë, “Tre Luanët” duan të shkruajnë historinë

Nuk ka pushim në “Wembley”. Sot është radha e gjysmëfinales tjetër, Angli-Danimarkë. Të zotët e shtëpisë janë favoritë në shumë drejtime, por kjo Danimarkë, që ka marrë një fuqi të jashtëzakonshme që pas ngjarjes së Kristian Eriksenit, nuk është aspak për t’u nënvlerësuar.

Tifozët anglezë janë të bindur për kalimin e skuadrës së tyre në finale dhe mbrëmjen e së martës mbështetën Spanjën ndaj Italisë, pasi nuk e donin këtë të fundit si kundërshtar. Por Italia ka zënë vend tashmë në finale, në pritje të 11 korrikut dhe kundërshtarit, emrin e të cilit do ta mësojë sot.

Nga një ndeshje mes Anglisë dhe Danimarkës. Gazeta Si, 7 korrik 2021

“Tre Luanët” vijnë në këtë gjysmëfinale me moral të lartë, pas fitores bindëse 4-0 ndaj Ukrainës në çerekfinale. Trajneri Southgejt nuk ka asnjë mungesë, alternativat i ka të shumta për formacionin, por me shumë mundësi ai do t’i besojë skuadrës fituese të ndeshjes së fundit. Sanço pritet të luajë sërish nga minuta e parë në sulm, bashkë me Kejn, Sterling dhe Maunt prapa tyre. “Duam të shkruajmë historinë”, - tha trajneri anglez në konferencë shtypi.

Edhe danezët vijnë pa mungesa në këtë ndeshje, ku trajneri Hjumland ka dilemën e majës së sulmit: Jusuf Poulsen apo Dolberg. Sigurisht, Danimarka do të mendojmë më shumë për mbrojtjen, duke ditur se çfarë skuadre ka përballë. Në çdo rast, danezët e kanë përmbushur “misionin” e tyre me kalimin në gjysmëfinale dhe sot në mbrëmje nuk do të kenë aspak presion. Ndeshja do të gjykohet nga holandezi Makkeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë