Italia në finale mes drithërimash dhe me fatin me vete, teksa kualifikimin ndaj Spanjës e arriti nga pika e bardhë e penalltive. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, me gola të Kiezës dhe Moratës në pjesën e dytë. Shtesa nuk ndryshoi asgjë dhe u deshën penalltitë, ku italianët realizuan 4 herë, ndërsa spanjollët vetëm 2 herë. Zhorzhinjo realizoi penalltinë vendimtare.
Luis Enrike befasoi me aktivizimin e Ojarzabal nga minuta e parë dhe uljen në stol të Alvaro Moratës, si dhe Erik Garsian në vend të Pau Torres. Pjesa tjetër e skuadrës ishte ajo e zakonshmja. Mançini i besoi sërish Kiezës një fanellë titullari. Lojtari i Juventusit vuajti për të dalë në lojën e tij, por ishte ai që e nxorri Italinë nga situata, duke shënuar në minutën e 60-të.
Pjesa e parë ka folur kryesisht për Spanjën, që kishte kontrollin e topit dhe tentoi më shumë drejt portës së Donarumës, Dani Olmo u ndal bukur nga portieri italian, kurse Ojarzabal gaboi totalisht në gjuajtje. Në krahun tjetër, Imobile mund të kishte shfrytëzuar më mirë një dalje të gabuar të Unai Simon, kurse Emerson Palmieri ishte pa fat në fund të pjesës së parë, kur goditi traversën me të majtën.
Loja është bërë më e bukur në pjesën e dytë, me dy skuadrat më kërkuese për golin e avantazhit. Dhe e kanë gjetur italianët me një sulm të shpejtë të nisur nga Donaruma, Imobile u ndal nga mbrojtja spanjolle, por Kieza, i cili e ndoqi aksionin, rrëmbeu topin dhe goditi bukur më të djathtën, duke mposhtur Unai Simon. Menjëherë pas golit, Morata zuri vendin e Ferran Torres, ndërsa Imobile ia la vendin Berardit.
Koke nuk arriti të devijonte me kokë një top të kalibruar për të në zonë. Berardi në anë tjetër është ndalur me këmbë nga portieri spanjoll. Enrike më pas hedh në fushë edhe Rodrin dhe Zherard Morenon për t’i dhënë freski dhe fuqi manovrës sulmuese. Mançini përgjigjet me Pesinën në vend të Verratit dhe Toloin në vend të Emerson Palmierit.
Berardi humb një rast 10 minuta para fundit, duke e çuar topin në duart e Unai Simon dhe pastaj Spanja ndëshkon. Alvaro Morata kombinon bukur me Dani Olmon, lë pas dy shokët e skuadrës te Juventusi, Kielinin dhe Bonuçin, dhe mposht edhe Donarumën, duke barazuar shifrat në 1-1. Lokateli dhe Beloti në fushë për Italinë, ulen në stol Barela dhe Insinje. Te Spanja del nga fusha Azpilikueta dhe futet Markos Lorente. Në fund të kohës së rregullt ka pretendime nga spanjollët për peanllti, pas prekjes me dorë të topit nga Kielini, por Brysh vazhdon lojën.
Në shtesë, Dani Olmo ka një mundësi të mirë, por ndalet nga Donaruma, kurse Berardi e çon topin në rrjetë, por ka një pozicion jashtë loje që prish festën e italianëve. Alkantara dhe Pau Torres janë ndërrimet e fundit të Enrikes, tek Italia aktivizohet edhe Bernardeski.
Asgjë nuk ndryshon dhe finalistin e parë e përcaktojnë penalltitë. Lokateli dhe Dani Olmo humbën penalltitë e para. Më pas për Italinë realizuan Beloti, Bonuçi, Bernardeski dhe Zhorzhinjo. Donaruma priti penalltinë e Moratës dhe Italia shkon në finale e “Wembley”-t, ku pret fituesin e çiftit Angli-Danimarkë.
Itali-Spanjë 5-3 (1-1)
Italia (4-3-3): Donaruma, Di Lorenco, Bonuçi, Kielini, Emerson Palmieri (Toloi), Barela (Lokateli), Zhorzhinjo, Verrati (Pesina), Kieza (Bernardeski), Imobile (Berardi), Insinje (Beloti). Trajner: Mançini
Spanja (4-3-3): Unai Simon, Azpilikueta (Markos Lorente), Garsia (Pau Torres), Laporte, Zhordi Alba, Koke (Rodri), Buskets (Tiago Alkantara), Pedri, Ojarzabal (Zherard Moreno), Dani Olmo, Ferran Torres (Morata). Trajner: Luis Enrike
Arbitër: Brysh (Gjermani)
Shënues: Kieza 60’, Morata 80’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.