Euro 2020

Bileta e parë e finales jepet sot, Italia me një ndryshim ndaj Spanjës

Erdhi momenti për të përcaktuar skuadrën e parë finaliste të Euro 2020. Në “Wembley”, Italia dhe Spanja do të diskutojnë biletën e parë të finales, që do të zhvillohet në po këtë stadium. Italianët vijnë në këtë pikë pas një kampionati shumë të mirë dhe mund të konsiderohen favoritë ndaj Spanjës me oshilacione në ndeshjet në grup, por që më pas sikur e ka marrë veten.

Trajneri Roberto Mançini ka bërë një punë shumë të mirë, nuk ka diskutim. Shumë specialistë e konsiderojnë atë yllin e kësaj Italie të rilindur. Skuadra është kompakte dhe më sulmuese nga sa mund të mendohej. Për sfidën e sotme “axurrët” nuk kanë në dispozicion mbrojtësin e majtë, Leonardo Spinacola, i cili i është nënshtruar operacionit pas dëmtimit që pësoi ndaj Belgjikës.

Një mungesë e rëndësishme, pasi Spinacola ka qenë ndër më të mirët e Italisë në ndeshjet e deritanishme. Vendin e tij në formacion do ta zërë Emerson Palmieri, lojtari i Çelsit. Pjesa tjetër e skuadrës është po ajo, me Imobilen në majë të sulmit, të mbështetur nga Insinje dhe Kieza. Në mesfushë Verrati, Zhorzhinjo dhe Barela.

Formacionet e mundshme. Gazeta Si, 6 korrik 2021

Luis Enrike ka kujtime të hidhura nga Italia, por në konferencë shtypi ai nuk ka dashur t’i komentojë. Trajneri i Spanjës gjithashtu është i detyruar të bëjë një ndryshim në krahasim me ndeshjen e fundit, pasi Sarabia, sulmuesi anësor, është i dëmtuar. Vendin e tij pritet ta marrë Dani Olmo, ndërsa dy lojtarët e tjerët të repartit të avcancuar janë Alvaro Morata dhe Ferran Torres.

Pika e dobët e spanjollëve është mbrojtja, ku Enrike rreshton katërshen e përbërë nga Laporte dhe Pau Lopez në qendër, Zhordi Alba në të majtë dhe Azpilikueta në të djathtë. Në mesfushë do të jetë sërish nga minuta e parë treshja Buskets-Pedri-Koke. Ndeshjen e sotme e arbitron gjermani Feliks Brysh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë