Euro 2020

Herri Kejn vlerëson Danimarkën: Duhet 100% për të shkuar në finale

Kapiteni Herri Kejn po gjen gradualisht formën e tij më të mirë dhe ky është një lajm i madh për Anglinë, që e sheh veten shumë pranë finales së “Wembley”-t. Sulmuesi i Totenhemit realizoi 2 gola ndaj Ukrainës në çerekfinale, duke u ngjitur në kuotën e 3 golave. Tani radhën e ka Danimarka dhe anglezët janë favoritë, por kapiteni i “Tre Luanëve” ka një vlerësim maksimal për kundërshtarin.

"Para së gjithash, Danimarka është një skuadër shumë e mirë, - ka thënë Kejn. – Jemi përballur me të dy herë në Ligën e Kombeve dhe nuk e kemi mundur asnjëherë, kemi pësuar një humbje dhe në ndeshjen tjetër kemi dalë barazim. Kjo do të thotë diçka.

Herri Kejn feston një gol. Gazeta Si, 5 korrik 2021

Ata po luajnë shumë mirë pas asaj nisjeje të vështirë. Ne gjithsesi duhet të përqendrohemi te skuadra jonë. Luajmë një gjysmëfinale në shtëpi dhe duhet tregojmë gjithçka pozitive që kemi. Do të jetë e vështirë dhe duhet të jemi në 100%-shin tonë. Nëse luajmë si dimë, do të shkojmë në finale”.

Anglisë i duhen golat e kapitenit për të shkuar në finale. Kejn e di mirë se çfarë presin tifozët prej tij, ai është një lojtar që di ta përballojë presion dhe kritikat. Trajneri Southgejt e ka grupin të plotë në prag të ndeshjes me Danimarkën, që luhet më 7 korrik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë