E kritikuar jo pak nga opinioni publik dhe nga shtypi, sidomos nga gazetat që janë më të lidhura me Real Madridin, Spanja e Luis Enrikes ka arritur në gjysmëfinale të Euro 2020, duke ndjekur me besnikëri idetë e një prej trajnerëve më të përgatitur. Spanja ka pasur një organizim preciz loje, më shumë si një skuadër klubi se një skuadër kombëtare.
Meritat e trajnerit Enrike janë të padiskutueshme, para së gjithash duke marrë në konsideratë faktin se grupi i lojtarëve që ai ka në dispozicion është i një niveli inferior në krahasim me paraardhësit e tij. Sistemi i lojës është 4-3-3.
Në fazën e ndërtimit të aksioneve, pasimet e sakta deri në hapjen e lojës është karakteristika kryesore e Spanjës. Dy mbrojtësit e krahëve, Azpilikueta dhe Zhordi Alba, marrin pjesë bashkë me dy mbrojtësit e qendrës në zhvillimin e manovrës pa dalë menjëherë përpara në gjysmëfushën kundërshtare. Përpara mbrojtjes është “fari” Buskets, i shoqëruar nga Koke në të djathtë dhe Pedri në të majtë. Përpara, dy sulmuesit anësorë janë Ferran Torres dhe Sarabia, që ndaj Italisë do zëvendësohet nga Dani Olmo, dhe në majë Morata.
Manovra e lojës parashikon kapjen e hapësirave në mesfushë me Koken dhe Pedrin që kërkohen me topa vertikalë ose diagonalë. Ata aktivizojnë lëvizjen e Moratës, i cili duhet të veprojë pas shpinës së mbrojtjes kundërshtarë, ose duhet të afrohet me mesfushorët për të mbështetur aksionin. Në këtë rast, një nga dy mesfushorët anësorë avancon për të kapur hapësirën e krijuar nga lëvizja e sulmuesit kryesor.
Pozicioni në largësi i dy sulmuesve të krahut boshatis pjesën qendrore të mesfushës kundërshtare dhe bën të mundur lëvizjen e mesfushorëve. Aksioni zhvillohet shpesh duke shfrytëzuar lëvizjet e koordinuara mes mbrojtësve anësorë dhe sulmuesve të krahut përkatës.
Në lojën mbrojtëse ka një alternim të fazës së presingut me atë pozicionale, ku Spanja vepron me skemën 4-1-4-1, që lejon pak hapësirë për kundërshtarin. Problemi më i madh duket bashkëpunimi mes dy qendrave të mbrojtjes. Luis Enrike ka zgjedhur Laporten si qendër të djathtë dhe në krah të tij Pau Torres. Ka një bashkëpunim të sforcuar mes të dyve dhe me siguri stafi i Mançinit e ka kuptuar këtë gjë dhe po studion mënyrën si do ta godasë Spanjën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.