Është java e Manuel Lokatelit, mesfushorit të Italisë që ka shpërthyer në Europian, edhe pse në ndeshjet e fundit e ka humbur vendin e titullarit, pasi Mançini beson më shumë te treshja Barela-Verrati-Zhorzhinjo. Juventusi ka vendosur të investojë 40 milionë euro për mesfushorin e Sasuolos, i kërkuar nga Alegri si përforcim strategjik për rindërtimin e mesfushës bardhezi.
Klubi torinez ka një plan konkret për rilindjen, një plan ambicioz me një shtim kapitali prej 400 milionë eurosh, kështu që blerjet do të jenë të fuqishme. Lokateli është i destinuar të bëhet një nga blerjet e para të erës së re te Juventusi.
Bisedimet nuk janë aq të thjeshta, në fakt, duke parë që Sasuolo ka marrë një ofertë nga Arsenali për xhevahirin e saj dhe të Italisë. Klubi londinez është gati të mbyllë gjithçka me pagesë të menjëhershme, pra brenda këtij sezoni. Te Juventusi arsyetojnë ndryshe, me një zgjidhje më të lehtë nga pikëpamja e bilancit. Kjo është pika më delikate, por që gjithsesi pritet të zgjidhet.
Vendimtare është edhe dëshira e lojtarit. Manuel Lokateli e ka bërë të qartë se nuk po merr në konsideratë skuadra të tjera përveç Juventusit. Nuk është rastësi që drejtuesit e Arsenalit këto ditë, për një arsye apo një tjetër, nuk kanë arritur të komunikojnë me mesfushorin. Në çdo rast, Juventusi e ka treguar vullnetin për ta blerë lojtarin, duke u ngjitur nga 30 milionë në 40 milionët që kërkon Sasuolo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.