Histori

Afganistani, talebanët dhe gratë, ajo që ka mbetur nga liria pas 20 vjetësh

“Ne nuk do t’i lëmë ata të na tërheqin në errësirë”, – betohet deputeti Naheed Farid. “Por ne kemi nevojë për aleatë në këtë moment vendimtar në historinë tonë”. Ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA-të në Afganistan në vitin 2001, u paraqit si një mundësi për të ndihmuar gratë. Njëzet vjet pas dëbimit të Talibanëve nga Kabuli, qëllimi i të drejtave është ende larg në një vend ende të klasifikuar, si më i keqi për të qenë një grua: një shoqëri fuqimisht patriarkale, ku ato konsiderohen të jenë në pronësi të burrave dhe ku komandantët e luftës që kanë luftuar talebanët, shpesh janë po aq fondamentalistë.

Por afganët e sotëm nuk janë ata të njëzet viteve më parë. Ata janë 40% e studentëve dhe mbi një e katërta e parlamentarëve që hapin llogari bankare dhe zotërojnë 2500 kompani. Ato janë pilote, inxhiniere, garojnë në Lojërat Olimpike dhe në skuadrat e robotikës, janë profesioniste dhe udhëheqëse.

Por sot ato kanë frikë për sigurinë dhe për të ardhmen. “Pas dhunës më të rëndë, ato u ngjitën në majat më të larta, duke valëvitur flamurin afgan”, – thotë shkrimtarja afgano-amerikane, Nadia Hashimi. “Është e trishtueshme të shohësh që ato u përdorën si një kalë beteje dhe më pas u braktisën”

Debati nuk është thjesht midis atyre që duan që forcat e huaja të qëndrojnë ose të largohen. Është mënyra e tërheqjes së pakushtëzuar që dëmton gratë dhe forcon Talibanët, të cilët tani po përparojnë drejt një fitoreje ushtarake. Njerëzit duan një armëpushim dhe garanci për përfshirjen në të ardhmen, të cilat vetëm komuniteti ndërkombëtar mund t’i garantojë.

Edukimi: pa libra ose bursa falas

“Nën regjimin e talebanëve, vajzat mbi nëntë vjeçe ishin të ndaluara të studionin, ndërsa djemtë mësuan se një kallashnikov + një kallashnikov, është i barabartë me dy. Kështu që bëmë të vetmen gjë të mundshme: të ndërtonim shkolla klandestine”.

Sakena Yacoobi, 64 vjeçe, themeloi Institutin Afgan të Mësimit në vitin 1995 dhe njihet si “nëna e arsimit”.

“Pas vitit 2001, gjërat janë përmirësuar. Por ka ende shumë të meta”, – vazhdon Yacoobi. Sipas Kushtetutës Afgane, nëntë vitet e para të shkollës janë të detyrueshme dhe falas, por nuk ka fonde për libra dhe bursa për shkollën fillore. Pastaj është çështja e sigurisë.

“Si mund të vazhdojmë t’i lëmë vajzat tona në klasë nëse ato i vrasin”, – tha Naugiz, nëna e një prej nxënësve Hazara të shënjestruara nga ISIS në sulmin e fundit, për gazetën “New York Times”.

Rezultati është që, sipas Unicef, sot në Afganistan, 60% e vajzave nuk studiojnë (me talebanët ishte 97%) dhe shumica martohen shumë të reja (17% para moshës 15 vjeç).

“Një shoqëri nuk përparon nëse gratë e saj nuk janë të arsimuara”, – shkroi Khaled Hosseini, autor i The Kite Runner. Dhe nëse Talibanët, në Doha, njoftojnë se ata do të sigurojnë të drejtën për arsimim për të rinjtë “në përputhje me ligjin Islam”, jo të gjithë besojnë në këtë ndryshim të ritmit.

Të drejtat: Talibanët nuk e pranojnë Kushtetutën

“Një nga pretendimet e Talibanëve, është se ata nuk e pranojnë Kushtetutën Afgane”, – shpjegoi Shukria Barakzai në një takim në internet të organizuar nga instituti “Sakena Yacoobi” dhe moderuar nga gazetarja iraniane, Fariba Pajooh. Barakzai, e cila sapo kishte shpëtuar nga një sulm tjetër, ndihmoi në hartimin e Kushtetutës në vitin 2004, “me shumë vështirësi, nën presionin e grupeve radikale islamike dhe komandantëve të luftës armiqësore ndaj ndarjes së pushteteve, barazisë dhe të drejtave civile; por kemi pasur mbështetjen e SHBA-së dhe Evropës”.

“Nuk është Kushtetuta më e mirë e mundshme”, por problemi i vërtetë, është se nuk është zbatuar kurrë, “për shkak të dobësisë së qeverisë, mungesës së vetëdijes publike dhe besimit se është shkruar nga Evropianët. Sidoqoftë, ajo ka arritur dy gjëra: lirinë e shprehjes dhe qasjen e grave në Parlament”.

Tani, talebanët thonë se ata duan një sistem islamik, “por tashmë është shkruar se Afganistani është një shtet islamik dhe se asnjë ligj nuk mund të zbatohet që nuk përputhet me vlerat e tij. Një justifikim tjetër i tyre, është se burrat dhe gratë nuk janë të barabartë dhe nuk mund të votojnë në të njëjtën mënyrë, por në të vërtetë, talibanët janë kundër zgjedhjeve në përgjithësi”.

Frika është se ata do të prezantojnë një këshill fetar, si në Iran, i cili mund të vërë veton për kandidatët në zgjedhje, duke përjashtuar kështu këdo që ata dëshirojnë.

Gazetaria: e vrarë ose e detyruar të ikë

Të fundit që u vranë ishin Mursal Ëahidi, 25 vjeçe, Sadia Sadat, 20 vjeçe dhe Shahnaz Raofi, 20 vjeçe. Ato punuan në Jalalabad, në një radio ku ishin folëse për programe të huaja. Në dhjetor ishte radha e Malalai Maiwand, një gazetare televizive 26-vjeçare, e qëlluar për vdekje para stacionit të saj televiziv. Sipas një raporti të KB, më shumë se 30 punonjës të mediave dhe gazetarë janë vrarë në Afganistan që nga viti 2018.

“Këto sulme po kryhen gjithashtu në mënyrë që të gjithë punonjësit e tjerë të medias të marrin mesazhin se gratë duhet të dekurajohen”, – thotë Kiran Nazish, themeluese e Koalicionit për Gratë në Gazetari, një grup avokimi që punon për të mbrojtur gazetaret femra. Të kërcënuara dhe të shënjestruara, ka nga ato që kanë zgjedhur të ikin jashtë vendit. Midis tyre, Farahnaz Forotan, e detyruar të largohej, pasi punoi për 12 vjet në mediat kryesore afgane.

“Ata më futën në listën e zezë pasi intervistova zëdhënësin e Talibanëve në Doha pa veshur shami”, – shkroi ajo vetë në gazetën “New York Times Magazine”. Kështu, për Forotan u bë zgjedhja midis jetës dhe mërgimit. “Gratë afgane jetojnë me ndjenjën e të qenit të padukshme. Në vendin e punës, zërat tanë nuk dëgjohen, ekzistenca jonë mezi është regjistruar. Prania jonë në çdo hapësirë ​​publike, festohet si barazi gjinore brenda dhe jashtë Afganistanit, por gjithçka që përjetojmë në jetën e përditshme, është pabarazia dhe diskriminimi”, -shpjegon ajo vetë, pasi u transferua në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Nai-t, një grup jofitimprurës që mbështet gazetarët afganë, rezultati është se nga 1,900 gazetarë që punuan në janar 2020, 200 u larguan nga profesioni në nëntor.

Politika: një qeveri e përbashkët (por ekstremistët nuk duan ta bëjnë)

“Kur isha në Parlament, kishte disa ekstremistë, por vota ime llogaritej sa e tyre. Dhe kështu duam t’i përballojmë, jo me armë, por me fuqinë e votave tona”.

Ish-Nënkryetarja e Parlamentit, Fawzia Koofi, është sot pjesë e ekipit negociator në procesin e paqes me Talebanët: ajo është në Doha në Katar, ndërsa dy vajzat e saj po presin në Afganistan. “Talebanët po përpiqen të kontrollojnë fshatrat me forcë ushtarake: që nga fillimi i negociatave, dhuna është rritur, përfshirë vrasjet. Ndërkohë, në bisedime ata nuk e shpjeguan vërtet pozicionin e tyre”.

“Ne aktivistët e paqes, nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç se të jemi optimistë”, – vëren Koofi, por nënvizon zhgënjimin, sepse “njoftimi i Presidentit Biden, se SHBA-të do të tërhiqen pa kushte në shtator, e vë përfaqësimin e Republikës Afgane në vështirësi, duke pasur parasysh që pala tjetër mendon se do të fitojë ushtarakisht. Pritja jonë në shkurt të vitit 2020, ishte në vend të një tërheqjeje të kushtëzuar, e lidhur me formimin e një qeverie që përfshinte jo vetëm talebanët, të cilët janë një realitet i vendit, por edhe gra, akademikë, shoqëri civile: një qeveri e pranueshme nga të gjithë “.

Koofi beson se Talibanët mund të fitojnë ushtarakisht, por nuk do të zgjasë: “Të fitosh në tokë është e lehtë, por qeverisja do të jetë e vështirë”. “Kur Talibanët morën pushtetin, unë isha studente, doja të bëhesha një mjeke dhe, si qindra mijëra gra, u detyrova të qëndroja në shtëpi kur ata imponuan regjimin, por nuk zgjati. Dhe këtë herë dhuna do të jetë edhe më e madhe, sepse si armët, ashtu edhe ndarjet etnike, janë rritur për njëzet vjet. Prandaj ne menjëherë kërkojmë një armëpushim dhe propozojmë që ata të bashkohen në një marrëveshje për ndarjen e pushtetit, e cila do të jetë islamike, me respekt për diversitetin dhe përfshirjen”.

Shëndeti: jetonjë (mesatarisht 66 vjet) dhe lindin (shpesh vetëm)

Kur një vajzë afgane vjen në botë, ajo ka një jetëgjatësi prej 66 vjetësh. Gjatë ekzistencës së saj, probabiliteti për t’u bërë nënë në moshë të re, është shumë i lartë. Dhe nëse shkalla e vdekshmërisë ra nga 1,200 për 100,000 lindje, në 2002-in, në 638 në 2017-ën, pati një përmirësim për shkak të ndërtimit të qindra spitaleve, falë ndihmës ndërkombëtare në vend pas rënies së Talibanëve, megjithatë, sot 638 gra në 100 mijë lindje, vdesin.

“Mungesa e qasjes në objektet shëndetësore, jashtë qyteteve është ende kritike”, – tha Hosna Jalil, Zëvendës Ministre për Çështjet e Grave. Kështu që shumë gra udhëtojnë me orë të tëra, pak ditë para lindjes. Dhe meqenëse ka shumë pak spitale, ku ndihma është falas, në fshatrat më të largëta, lindjet bëhen ende në shtëpi.

Statistikat tregojnë gjithashtu se 80 përqind e të gjitha vetëvrasjeve, kryhen nga gratë, duke e bërë Afganistanin një nga vendet e pakta në botë ku normat e grave janë më të larta se ato të burrave. Është një anomali që psikologët ia atribuojnë një cikli të pafund të dhunës në familje dhe varfërisë. “Më dhemb të them këtë, por situata po përkeqësohet”, – shpjegon Jameela Naseri, një avokate 31-vjeçare nga “Medica Afganistan”, e cila punon për një organizatë joqeveritare gjermane.

Brezat: kur Farkhunda u akuzua se i vuri flakën Kuranit

Të gjithë e dinë historinë e Farkhunda Malikzada. Ajo ishte 27 vjeçe, ishte një vajzë fetare që kishte kritikuar praktikat joislame të një xhamie në Kabul: ajo u akuzua në mënyrë të rreme se i kishte vënë zjarrin Kuranit dhe u vra në mes të ditës në vitin 2015.

Jo nga Talibanët, por nga një turmë burrash, disa prej tyre të shkolluar. Farkhunda është bërë një simbol i asaj që ndodh me gratë që duan të ndryshojnë shoqërinë afgane, por edhe i një ndryshimi që vazhdon pavarësisht gjithçkaje.

Ekziston një brez i ri që u rrit pas regjimit Taliban: 63% e popullsisë është nën 25 vjeç. “Të rinjtë janë më keq se të moshuarit për mendimin tim, sepse ata dinë vetëm luftë dhe nuk kanë parë kurrë gra të lira”, – komenton Niloofar Rahmani, 28 vjeçe, e cili në vitin 2012 u bë pilotja e parë e aviacionit afgan dhe flet nga Florida, ku është refugjate : ajo donte të ishte një simbol për vajzat, por u akuzua për përfshitrje me ushtarët amerikanë; jo vetëm talebanët, por edhe familja e saj e gjerë, e përndoqi atë, babanë dhe vëllain e saj, të cilët i mbijetuan dy atentateve.

Pikërisht njëzet vjet është mosha e Basmina Momand, të cilën jeton në Nangarhar, në kufirin midis Afganistanit dhe Pakistanit. Luginat më të largëta të provincës në të cilën ajo jeton, janë në duart e Talibanëve.

Ajo po studion për të qenë avokate. Prindërit, një shofer dhe amvisë analfabete, mbështesin Basminan, si vëllai i saj. “Ne të gjithë jemi të shqetësuar për kthimin e Talibanëve, por njëherë e një kohë gratë nuk i dinin të drejtat e tyre. Tani po”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë