Euro 2020

Kapiteni Kjaer, mesazh Anglisë: Danimarka s’kënaqet me gjysmëfinalen

Danimarka është skuadra më pak e pritshme për të qenë në gjysmëfinale nga ato katër që tashmë e kanë në dorë një biletë për këtë fazë të Euro 2020. Danezët, të cilët luajnë çdo ndeshje në emër të Kristian Eriksenit, kanë eliminuar Uellsin në 1/8-at dhe Çekinë në çerekfinale, tani kanë përpara Anglinë, së cilës nuk i tremben.

"Kishim një objektiv në fillim të këtij turneu dhe ai ishte që të ktheheshim në “Wembley”. Do të gënjeja, nëse do të thosha se jemi në rregull me gjysmëfinalen. Duhet të rikuperojmë sa më shpejt energjitë, sepse kemi një ndeshje të vështirë pas katër ditësh”, - tha pas fitores me Çekinë kapiteni i Danimarkës, Simon Kjaer.

Danimarka feston golin e parë të Dolberg. Gazeta Si, 4 korrik 2021

Sigurisht, Anglia nuk është Çekia dhe danezët do ta kenë shumë më vështirë, sidomos në mbrojtje. "Mbrojtja në presion? Për fat të mirë, është pjesë e lojës që më pëlqen më shumë, të jem aty dhe të largoj topat. Na është dashur të punojmë shumë, të mbrohemi me thonj. Mund të bëjmë një ndeshje të mirë. Ndoshta Çekisë i lamë pak më shumë iniciativë, por kishim besim se nuk do të thyheshim prapa”, - shtoi më tej lojtari i Milanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë