Sulmuesi anësor i Belgjikës është vetëm 19 vjeç, ra në sy me lojën ndaj Italisë, por nuk është një surprizë. Yll që tek Anderlehti, ndërsa verën e kaluar u ble nga Renes për 26 milionë euro, tani vlen të paktën dyfishin. Te Liverpuli nuk shkoi për faj të Lukakut, ndërsa tani me siguri…
Se çfarë natyre lojtari është u kuptua në momentin kur u pyet për penalltinë e fituar ndaj Italisë, që rihapi ndeshjen. “Kush më njeh, e di që unë nuk bie në tokë për asnjë arsye. Nëse mundem, qëndroj në këmbë”. Për Zheremi Dokun ai është çelësi: ai jeton për driblimin, që nuk bëhet nëse rrëzohesh. Ndaj Italisë bëri 8 driblime, rekord për një adoleshent në një aktivitet madhor.
Gjatë sezonit ka bërë më shumë driblime se Nejmar dhe Mbape, edhe pse luann me një skuadër që e ka kontrollin e topit shumë më pak se PSG. I hapi shumë punë Di Lorencos dhe në momente të caktuara, tentativat e tij ishin i vetmi postobllok mes “axurrëve” dhe gjysëmfinales me Spanjën. Ata që e njohin nuk habiten nga djaloshi me gërsheta, pasi e dinë se është ndër më të mirët në botë për driblimin e lojtarit kundërshtar. E ka art këtë pjesë dhe me këtë mënyrë loje bën tifozët të ëndërrojnë.
Driblimi është pak si piktura apo kitara: mund ta’i mësosh mirë, por nëse lind i talentuar është tjetër gjë, duket dhe ndihet. Zheremi Doku ka lindur 19 vjet më parë dhe me shumë mundësi që atëherë dinte ta kalonte kundërshtarin. Tani që është një profesionist, e ka përmirësuar këtë aftësi deri në perfeksion. Ai e lë në vend kundërshtarin me ndryshimin e hapave, di të bëjë numra prestigji dhe ka mësuar të vërë në punë edhe fizikun, kur i duhet, duke u mbështetuar te shpatullat e mbrojtësit, apo me finte dhe kundërfinte. Një mbrojtës e lë gjithmonë pas.
Historia e tij është ajo e një prej talenteve të shumtë, që reflektorët i shohin nga jashtë dhe duan të bëjnë atë që kanë qejf, tip pak familjar. “Shkoja në shkollë me mbathjet e futbollit, këpucë të grisura dhe një telefon prej 15 eurosh” – ka treguar Doku, i rritur në Borgerhout, një lagje e vështirë e Anversës, ku duhet të luftosh edhe për gjërat e vogla.
Është formuar te fushat me çimento. Kokëfortë edhe kur trajnerët e moshave tek Anderlehti nga një anë zgurdullonin sytë përpara talentit të tij dhe në anën tjetër i thoshin të mos e ekzagjeronte me driblimet. Përgjigja? Deri sa nuk do të rrëzohem, do të vazhdoj. Ashtu si ndaj Italisë.
Trajnerët e kanë parë, Dokun e ka parë edhe Jurgen Klop dhe në moshën 15-vjeçare ishte thuajse i Liverpulit. Shkoi edhe në “Anfield” për të parë stadiumin dhe për të folur me kampionët, por Anderlehti luajti kartën “Lukaku”: i tregoi një video të partnerit aktual të sulmit te Belgjika dhe i sugjeroi të qëndronte për t’u rritur. Dhe Doku pranoi këtë këshillë kundër çdo parashikimi. Tani luan me Renes, që pagoi 26 milionë euro me shpresën për ta shitur më shumë.
Në fillim hasi vështirësi, por në pjesën e fundit të sezonit shpërtheu. Europiani ishte një vitrinë për të dhe tani shumë klube e dëshirojnë. Klop sheh tek ai zëvendësuesin e Sadio Mane, duke ditur që kur skuadra nuk ka topin, ai impenjohet shumë. Tani Liverpuli mund të hidhet sërish në sulm. Në atë kohë, Doku u shpreh: “Nëse vërtet Liverpulit i pëlqej kaq shumë 15 vjeç, do të kthehem edhe më vonë. Më takon mua që të luaj sa më mirë”.
Prindërtit e tij janë ganzezë, por luan me kombëtaret belge që 15 vjeç. Roberto Martinez është nga ata trajnerë që Dokun e sheh si një talent të madh, e ka aktivizuar me kombëtaren e madhe në shtator të vitit të kaluar ndaj Danimarkës, kurse 3 ditë më pas ndaj Islandës shënoi golin e parë. Ndoshta ai nuk do të jetë kurrë një bomber me 2 shifra, por do të jetë gjithmonë fat për ata që do të luajnë afër tij.
Trajneri Martinez e ka grumbulluar për kualifikueset e Botërorit, preferoi atë para Januzajt në Europian. Nuk nguroi ta hidhte në fushë në ndeshjen e rëndësishme me Italinë para Karraskos. Doku nuk zhgënjeu dhe lëvizjet e tij tani i njohin të gjithë.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.