Anglia kthehet në “Wembley” për gjysmëfinalen e 7 korrikut me Danimarkën. Bashkë me Italinë janë dy favoritet kryesore për të shkuar në finale dhe për të diskutuar trofeun. Janë favorite në letër, duke pasur paarsysh atë që kanë dhënë deri tani në Euro 2020.
Po t’i referohemi historisë, italianët do të veçoheshin për mbrojtjen e fortë, pasi kjo ka qenë “arma” e tyre më e fortë gjithmonë. Për mbrojtjen si skuadër, të njohur me termin “katenaço”, por Italia e Mançinit është ndryshe nga ajo tradicionale, mbrohet mirë dhe luan futboll zbavitës. Po ashtu, mjaft mirë mbrohet edhe Anglia e trajnerit Gereth Southgejt dhe këtë e vërtetojnë numrat.
Në 5 ndeshjet e deritanishme, anglezët nuk kanë pësuar asnjë gol, një tregues i qartë për kompaktësinë që “Tre Luanët” kanë në prapavijë. Dy fitore 1-0 në grup (ndaj Kroaciasë dhe Çekisë), dhe një barazim 0-0 (ndaj Skocisë), pastaj fitorja 2-0 ndaj Gjermanisë në 1/8-at dhe së fundi fitorja 4-0 në çerekfinale ndaj Ukrainës, që rregullon disi edhe golaverazhin e Anglisë, që kthehet mes 4 më të mirëve të Europës pas 25 vitesh.
Ndeshja me Ukrainën ishte e 7-ta radhazi që Anglia nuk pëson gol. "Lojtarët ishin fantastikë, - ka thënë pas ndeshjes trajneri Southgejt. – Mendoj që edhe ata që nuk zbritën në fushë: Konor Koadi, Ben Çiluell, Sem Xhonston, Aron Ramsdejl, e kanë bërë këtë skuadër fituese. Shpirti i grupit është fenomenal. Askush nuk e meriton të qëndrojë jashtë, të gjithë japin gjithçka në stërvitje. Prej shtatë ndeshjesh skuadra po ecën shumë mirë. Është e mrekullueshme për vendin tone të luajmë gjysmëfinalen në Londër”.
Southgejt e ka konsoliduar lojën mbrojtëse të Anglisë. Meguajër dhe Stons janë dy qendra të forta, kurse në krahë Uollkër dhe Shou janë dy lojtarë adaptë për të mbrojtur mirë dhe për të shtyrë përpara. Tripier dhe Çiluell janë dy alternativa shumë të mira për krahët, ashtu si Ming në qendër. Siguria e anglezëve nis nga mbrojtja dhe sigurisht portieri Pikford.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.