Kompletohet edhe gjysmëfinalja e dytë e Euro 2020 me Anglinë, që ka likuiduar 0-4 Ukrainën, duke treguar se është vërtet një pretendente serioze për fitimin e kompeticionit. Tani radhën e ka Danimarka në gjysmëfinale, por duhet theksuar se Anglia e sotme, me Sanço titullar dhe Maunt të rikthyer, ishte vërtet e frikshme.
Vetëm një pjesë loje rezistoi Ukraina në Romë, pasi në të dytën nuk mundi ta përballonte furinë e anglezëve, të cilët, pas fitores së thellë 0-4 në “Olimpico”, duken një skuadër e rilindur. Herri Kejn zhbllokoi shifrat shumë shpejt dhe Anglia pati edhe raste të tjera, por edhe Ukraina iu përgjigj mirë dhe i shkoi afër barazimit me Jaremçuk.
Sapo nisi pjesa e dytë, “Tre Luanët” dyfishojnë me Meguajër dhe pastaj trefishojnë me kapitenin Kejn, që duket se po arrin në formën optimale. Të dy shënuan me kokë. Ukrainasit marrin një goditje të fortë psikologjike dhe pësojnë edhe golin e katërt nga Xhordan Henderson, i futur në fushë si zëvendësues tek Anglia.
Ndeshja nuk ka më histori, me anglezët që kursejnë energjitë për ndeshjen e radhës, për gjysmëfinalen me Danimarkën, që do të kthehen ta luajnë me 7 korrik në “Ëembley”. Trajneri Southgejt bën edhe ndërrimet e rastit pas minutës së 65-të, duke aktivizuar Rashford, Tripier, Belingam edhe Kalvert-Leuin.
Për Ukrainën e Shevçenkos, kualifikimi deri në çerekfinale mund të konsiderohet sukses. Përballë Anglisë ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që Ukraina të bënte ndonjë surprizë.
Ukrainë-Angli 0-4
Ukraina (3-5-2): Bushçan, Zabarnij, Krivtsov (Tsigankov), Matvijenko, Karavaev, Sidorçuk (Makarenko), Shaparenko, Zinçenko, Mikolenko, Jarmolenko, Jaremçuk. Trajner: Shevçenko
Anglia (4-2-3-1): Pikford, Uollker, Stons, Meguajër, Shou (Tripier), Rajs (Henderson), Filips (Belingam), Sanço, Mount, Sterling (Rashford), Kejn (Kalvert-Leuin). Trajner: Southgejt
Arbitër: Brysh (Gjermani)
Shënues: Kejn 4', 50', Maguajër 46’, Henderson 63
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.