Euro 2020

Check-point-e dhe 3000 agjentë, blindohet “Olimpico” para Angli-Ukrainë

Entuziazmi për kombëtaren e futbollit në Angli është në nivelin maksimal. Për këtë është e vështirë që tifozët e saj të qëndrojnë larg skuadrës në çerekfinalen e sotme ndaj Ukrainës, që luhet në Romë.

Tifozët anglezë janë mësuar ta ndjekin kombëtaren në “Wembley”, ndërsa sot duhet të transferohen në Romë, në një qytet që po merr të gjitha masat e nevojshme për të limtuar rrezikun që vjen nga një vend, ku një ditë më parë janë regjistruar 27 mijë raste të reja pozitive të Covid-it.

Kryeqyteti italian dhe stadiumi “Olimpico” janë blinduar. Janë të paktën pesë “check-point”-e rreth stadiumit për të kontrolluar hyrjet, ku janë të mobilizuar të paktën 3 mijë agjentë. Pjesa më e madhe e tifozëve anglezë ka mbërritur në Romë që dje nga qytete të tjera, apo vende të Bashkimit Europian.

Frika e autoriteteve italiane lidhet me rrezikun se të paktën 200 ndjekës të kombëtares së drejtuar nga Southgejt mund të mbërrijnë sot në Romë, pavarësisht masave shtrënguese, karantinës së detyruar dhe certifikatës që vërteton negativitetin e tamponit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë